Thaçi përkujton masakrën e Srebrenicës

Thaçi përkujton masakrën e Srebrenicës

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, në 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, deklaroi se është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare.

“Masakra e Srebrenicës, 24 vjet më parë, rikthej tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore – të popullvrasjeve masive. Ky gjenocid i urdhëruar nga regjimi i Millosheviqit, ku u vranë rreth 8 mijë njerëz, ishte edhe një paralajmërim se deri në çfarë mase mund të shkonte çmenduria e regjimit serb. Me të njëjtën logjikë, ky regjim vrastar vazhdoi masakrat edhe në Kosovë në vitet 1998-1999. Është fatkeqësi që edhe pas dy dekadave, kriminelët serbë, autorë të këtyre krimeve makabre në Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, nuk janë dënuar nga drejtësia ndërkombëtare. Sot, 24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, me dhimbje të madhe i kujtojmë tmerret që ndodhën atje.”, shkroi Thaçi në Facebook.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në 24-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, tha se kjo masakër na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor. Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj tha se sot Kosova është me popullin e Bosnjës.

Bosnja e Hercegovina sot shënon 24-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore./21Media