Topalli ndarjen me VV-në e quan të dhimbshme

Topalli ndarjen me VV-në e quan të dhimbshme

Ish deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe së fundi i PSD-së, Faton Topalli ka konfirmuar se nuk do të kandidojë për deputetë të koalicionit AAK-PSD.

Ai përmes një shkrimi në “Facebook” tha se arsyet e moskandidimit janë personale.

Topalli ka konfirmuar se do të vazhdojë të jetë pjesë e PSD-së, duke kontribuar si drejtues i shtabit zgjedhor në Ferizaj dhe drejtues i shtabit rajonal për zgjedhjet 2019.

Ndarjen me Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli e vlerëson të dhimbshme.

“Ndarja me Lëvizjen Vetëvendosje! qe e dhimbëshme. Shumë qytetarë ma kanë thënë që janë zhgënjyer nga të dy palët. Edhe unë, duke pasur parasysh investimin fizik, mendor e material prej vitit 2011 deri në vitin 2018, jam ndër ata që janë zhgënjyer më së shumti. Gjatë kësaj kohe më kanë sharë, fyer, më kërcënuan mua dhe fëmijët e mi, më etiketuan me 1000 epitete, e nuk lane gjë të ulët pa bërë. Por, nuk ma thanë asnjë argument, qoftë edhe një të vetëm, se në cilat tema kam tradhëtuar votuesit e mi. Kjo më bëri krenar dhe në të njejtën kohë më ka mërzitur për nivelin politk të disa bashkëudhëtarëve të mi. Sidoqoftë unë mund ta shikojë secilin prej tyre në sy, derisa shumë prej tyre ulin sytë kur kalojnë pranë meje”, ka shkruar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen sivje më 6 tetor./21Media