Në një orë përkujtimore është folur sot në Prishtinë për veprën e heroit, Fazli Grajqevci

Në një orë përkujtimore është folur sot në Prishtinë për veprën e heroit, Fazli Grajqevci

Në 55 vjetorin e rënies së tij, u tha Grajqevci është një flakadan i lirisë dhe meriton që historia të shkruaj më shumë për të, dhe shteti t’i ngrisë një lapidar në qendër të Prishtinës.

Fazli Grajqevci u përkujtua edhe sot si një aktivist e intelektual i rrallë.

Shoqata e ish-të burgosurve politik, bashkë me “Artclub Rifat Kukaj” nga Drenasi, organizuan orë poetike ku folën për jetën dhe veprën e heroit, duke theksuar se Fazli Grajqevci vdiq nga torturimi në burgun e Prishtinës atë kohë.

Nënkryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Meriman Braha tha se flakadani Fazli Grajqevci ndriçon edhe sot, 55 vjet pas rënies.

“Flakadani i lirë nuk ndalet, as nuk shuhet, ai do të kalojë nga një gjeneratë në tjetrën, herë me krismën e pushkëve e herë me qëndrime stoike në burgje e tortura. Dhe ja, flakadani Fazli Grajqevci. Në 55 vjetori ne rënies në tortura, ai ndriçon fort, është shpirti i tij që bëri dritë atëherë dhe u shtri kudo ndër shqiptarët, është shpirti dhe ideali i tij që bën dritë edhe sot, dhe do të bëjë edhe në kohëra më të mira që do të vinë. Është flakadani Fazli Graqevci që ndriçon, ashtu siç ndriçon edhe shembulli i mësuesit Shaban Shala, që shkojnë bashkë për mrekulli drejt një qëllimi të lartë. Vargu i flakadanëve do shihej ashtu siç afrohej edhe vet liria, ata, flakadanët, janë ata që ofronin lirinë. Murati, Afrimi, Naseri, Asllani, Xhemaliu, Arifi, Luani, janë togje ushtarësh të vrarë nëpër burgje e kazerma jugosllave”, tha ai.

Ndërsa Izet Avdyli nga shoqata “Artclub Rifat Kukaj”, tha se për Fazli Grajqevcin është shkruar pak.

“Deri tash pak është shkruar, për aq sa meriton figura e Fazli Grajqevcit, kemi vetëm një monografi të shkëlqyeshme të shkruar nga profesor Sinan Gashi, ndërkaq po ju njoftoj që është përgatitur botimi komplet i dosjes së shqyrtimit të gjykimit të Fazli Grajqevcit, në bazë të dokumenteve që ruhen në arkivin e Kosovës”, tha ai.

Aty foli edhe historiani Hakif Bajrami, sipas së cilit, Fazli Grajqevci meriton lapidar para Kuvendit të Kosovës.

“Ky njëri është mbytë nga torturat dhe ky njëri e meriton ta kemi një lapidar para Kuvendit të Kosovës. Po, sepse ky është mësuesi i Adem Jasharit. Kush nuk do me e pa t’i mbyll sytë e të kalon andej symbyllur”, tha ai.

Fadil Grajqevci punoi edhe mësues.

E në vitin 1964, u arrestua nga policia sekrete e shtetit jugosllav, dhe pas 14 ditë torturimi, më 17 gusht, ndërroi jetë në burgun e Prishtinës.