Mungon cilësia, por jo vullneti

Mungon cilësia, por jo vullneti

Edicionit në basketbollin e Kosovës i ka ardhur fundi. Tashmë kanë filluar të luhen ndeshjet e playoffit në konkurrencën e meshkujve, ndërsa tek femrat sot pritet të zhvillohet finalja e katërt me radhë, ndërmjet Prishtinës dhe Bashkimit.

Sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku e ka cilësuar këtë sezon si një ndër më të mirin, ku sipas saj ndërtimi i palestrës në Rahovec, ka rritur dukshëm shikueshmërinë në basketbollin kosovar.

“Edicioni i rregullt sa i përket garave të basketbollit të Kosovës, pra Superligës së Kosovës, ligës së femrave dhe të gjitha kategorive të reja, ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Me ndërtimin e palestrës së Rahovecit është rritur dukshëm numri i shikuesve në basketbollin e Kosovës, ashtu siç janë paraparë me proporcione të garave. 6 ekipe sivjet për herë të parë kanë shkuar në playoff, pra kemi pasur edhe ndeshjet çerekfinale”, ka thënë fillimisht Dushku.

Pa dyshim që Federata e Basketbollit të Kosovës vazhdimisht ka ndihmuar klubet në organizimin e tyre, por sipas Dushkut, nga viti në vit drejtuesit e klubeve janë vetëdijësuar se vetëm një njeri nuk mund t’i kryej të gjitha punët dhe po afrojnë afër vete personalitete të ndryshme.

“Prej vitit në vit, klubet kanë filluar të vetëdijësohen se një njeri nuk mundet me i kryer të gjitha punët, kështu që shumë njerëz po inkuadrohen në klube qoftë mënyrë vullnetare, qoftë mënyrë profesionale, kështu që mundemi me thonë që prej vitit në vit është parë një përparim i dukshëm i organizimit të klubeve”, ka deklaruar ajo.

Sa i përket dominimit të klubeve nga kryeqyteti, sekretarja Dushku këtë gjë e sheh si meritore nga ana e tyre, pasi duke filluar nga organizimi i klubeve e deri tek cilësia e lojtarëve të cilët i kanë, dallojnë nga ekipet tjera. Por për FBK nuk ka rëndësi se kush dominon, është me rëndësi që të rritet cilësia e basketbollit.

Kujtojmë që këtë sezon klubi i Prishtinës në kategorinë e meshkujve e ka përfunduar sezonin e rregullt të kampionatit kosovar pa asnjë humbje, me të gjitha ndeshjet e fituara.

“Z Mobile Prishtina është ekip që ka marrë pjesë në gara evropiane, e dimë buxhetin dhe e dimë nivelin e lojtarëve që i ka në përbërje, si lojtarët vendor ashtu edhe të huaj. Pastaj ata kanë marrë pjesë në FIBA Europe Cup, ku ka shkruar histori dhe ka marrë pjesë në mesin ekipeve më të mira, pas asaj ata i kanë larguar disa lojtarë, por prapë se prapë ajo baza ka mbetur. Për Federatën e Basketbollit fakti se a dominon ekipi i Prishtinës, apo ekipi i Prizrenit nuk është me rëndësi, me rendësi është me u zhvillu basketbollit dhe me u lujt basketbolli cilësor”, ka thënë ajo.

Dushku ka folur edhe rreth përfaqësueses së Kosovës, e cila sivjet nuk ka arritur rezultatet e pritura dhe për këtë sekretarja sheh si arsyetim mos efikasitetin me lojtarët e huaj. Sipas saj, Kosova këtë sezon nuk ka pasur fat me lëndime të lojtarëve të huaj, të cilët nuk kanë mundur ta ndihmojnë Kosovën në ndeshjet kryesore.

“Kemi qenë në grup me Rumaninë dhe me Maqedoninë, e dimë dy kombëtare që për nga renditja në ranglistën botërore janë shumë më lartë se Kosova. Kemi pasur shumë besim dhe shumë shpresa që do të kualifikohemi në këtë fazë dhe për këtë arsye kemi angazhuar edhe trajnerin Damir Mullaomeroviq, por nuk kemi pasur fat me lojtarët e huaj. Por nuk ka përfunduar asgjë, tash e kemi në muajin gusht një mundësi për të siguruar një vend në kualifikimet për EuroBasket 2021 dhe besoj që më një mobilizim që jemi duke e bërë prej tani, po besoj që kemi me arritur ta kalojmë Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe për t’u kualifikuar në kualifikimet për EuroBasket 2021”, ka thënë më tej ajo.

Kujtojmë që Kosova gjatë këtyre ndeshjeve me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe do të ketë disa risi, për të cilat Federata e Basketbollit të Kosovës do të njoftojë me kohë.