Thaçi kujton Xhevë e Fehmi Lladrovcin

Thaçi kujton Xhevë e Fehmi Lladrovcin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se para 21 vjetësh ranë heroikisht në ballë të betejës, komandanti Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortja e tij, Xhevë Krasniqi – Lladrovci, duke dhënë shembullin më suprem të përkushtimit për liri dhe çlirim të Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk u mposht nga ofensivat e shtatorit 1998 në saje të guximit dhe trimërisë së dëshmorëve dhe heronjve tanë”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Sot bëhen 21 vjet nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fehmi Lladrovci dhe bashkëshortes së tij, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, po ashtu njëra ndër luftëtarët e para të UÇK-së. Çifti Fehmi e Xhevë Lladrovci, ishin ndër figurat më emblematike të organizimit dhe luftës për liri në Kosovë, të cilët ranë më 22 shtator të vitit 1998, në një betejë të vështirë e të pabarabartë me forcat serbe, pas një qëndrese heroike të Fehmiut, Xhevës dhe luftëtarëve tjerë të UÇK-së në fortesat e ngritura në Çiçavicë./21Media