Sipas Bytyqit fëmijët nuk janë ende gati

Sipas Bytyqit fëmijët nuk janë ende gati

Fëmijët kosovarë, të cilët u kthyen nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak, nuk e nisën të hënën mësimin në shkollat e Kosovës, ashtu siç u paralajmërua më herët.

Këtë e konfirmoi ministri në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili tha se këta fëmijë ende nuk janë gati për t’u kthyer në bankat e shkollës.

Bytyqi tha se në momentin kur ata të jenë gati, do të integrohen në klasa bashkë me fëmijët e tjerë.

“Janë duke u bërë përgatitjet. Kemi pasur nevojë për disa përgatitje dhe besojmë se shumë shpejt do të jenë pjesë e integruar nëpër klasa. Në momentin që t’i përgatisim fëmijët që të jenë të integruar në klasë, do të jenë pjesë e klasave të rregullta”, tha Bytyqi duke mos specifikuar se për çfarë përgatitjesh bëhet fjalë.

Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Prishtinë, së bashku me kryetarin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti.

Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri u shpreh se ky fillim viti shkollor, është akoma më i veçantë, pasi që do të fillojnë mësimin edhe fëmijët e kthyer nga Siria.

“Jam shumë i lumtur që sot në bankat shkollore do të ulen edhe fëmijët e kthyer nga konflikti në Siri”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Në prill të këtij viti, 110 qytetarë të Kosovës, përfshirë 32 gra, 74 fëmijë dhe katër luftëtarë janë kthyer nga Siria në Kosovë.

Prej fëmijëve në fjalë, 10 i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.