Fëmijët s’kanë kushte mësimi në Klinikën e Pediatrisë

Klinika ka një dhomë për të ofruar një shërbim të tillë qysh në vitin 2002, por ajo shërben si dhoma e lodrave

Aktualisht janë rreth 30 fëmijë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë, të hospitalizuar e të cilëve nuk iu mundësohet që të vijojnë mësimet si bashkëmoshatarët e tyre.

Ndonëse para 40 viteve kësaj kategorie të fëmijëve i është mundësuar mësimi i lëndëve bazike në hapësirën e spitalit, një gjë e tillë nuk po ndodhë tani, 19 vjet pas luftës.

Këtë të drejtë fëmijëve të shtrirë në spital ua garanton Ligji mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm në Kosovë, i cili në nenin 15, parasheh masa të posaçme për arsimin e personave që janë të shtruar në spital, kurse, Klinika e Pediatrisë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për të realizuar një aktivitet të tillë. “15.2 MASHT merr masa të posaçme për arsimimin e personave në burgje ose në institucionet e të burgosurve në moshë të re, si dhe për personat e mbyllur në institucione psikiatrike ose që janë shtruar në spital për një kohë të gjatë”, përcakton ligji.

Megjithatë, përgjatë viteve ka pasur tentime për të realizuar një projekt të tillë për fëmijët, gjendja shëndetësore e të cilëve lejon mësimnxënien.

Drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Drita Telaku ka bërë të ditur për kp se kjo klinikë ka përgatitur një dhomë për të ofruar një shërbim të tillë qysh në vitin 2002, por shërben si dhoma e lodrave. Sipas saj, Klinika e Pediatrisë nuk ofron ndonjë kusht të posaçëm për menaxhimin e fëmijëve me probleme më të gjata shëndetësore. Telaku thekson se kur gjendja e tyre shëndetësore lejon, për ta procesi mësimor duhet të vazhdojë paralelisht hospitalizimit. “Qysh në 2002-ën kanë qenë iniciativat e para se çka mund të bëjmë që këtyre fëmijëve t’iu mundësojmë edhe vazhdimin e mësimit gjatë periudhës së hospitalizimit. Atëherë u krijua edhe një hapësirë e posaçme, që edhe sot e kësaj dite është kjo hapësirë që ne i themi edhe dhoma e lodrave, hapësirë e cila ka qenë e dedikuar për këta fëmijë që ata me e viju mësimin në atë hapësirë. Sot nuk e ka atë funksion. Sot e ka funksionin ku fëmijët e kalojnë kohën e tyre të lirë pranë lodrave ku është një hapësirë që edhe psikologja jonë e klinikës e shfrytëzon si terapi e lojës me fëmijë më të vegjël… Për momentin, këta muajt e fundit, mund të them se kemi 20-30 fëmijë të moshës shkollore që ndoshta kishin mundur me u përfshi në këtë program të mësimdhënies në kuadër të spitalit tonë”, tha ajo.

Ndonëse mungesa e një hapësire për zhvillimin e mësimit në Klinikën e Pediatrisë është evidente, përfaqësues të institucioneve janë të një mendimi sa i përket kësaj çështjeje. Sipas tyre nuk ka asgjë të keqe që të provohet një gjë e tillë dhe ata fëmijë, gjendja shëndetësore e të cilëve lejon, të përfshihen në lloje të ndryshme të aktiviteteve mësimore. Sipas Telakut, mësimdhënia në hapësirat e klinikës, gjatë kohës kur fëmijët trajtohen në repartet përkatëse, do të ndikonte tek fëmijët si një lloj rehabilitimi, si një kohë kur ata mund të harrojnë sëmundjen e tyre, dhe të orientohen dhe të merren me atë pjesën që moshatarët e tyre e vijojnë të rregullt.

Ndërkaq në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se nuk mund të bëjnë asgjë përderisa nuk pranojnë kërkesa të tilla nga drejtoritë komunale të arsimit. Sipas tyre, deri më tash nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të kësaj natyre. I pari i kësaj ministrie, Shyqiri Bytyqi ka thënë për kp se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje në ofrimin e kushteve të barabarta për mësim-nxënie për të gjithë fëmijët. “Ne jemi të gatshëm me e mbështet dhe është politikë e ministrisë dhe DKA-ve që të gjithë nxënësve t’iu ofrojmë kushte të barabarta për mësimnxënie. Edhe në raste të tilla, jo të mira, ne duhet t’iu ofrojmë kushte. Nëse do të na vijnë kërkesa nga DKA për ndonjë mbështetje të caktuar, ne jemi të gatshëm si ministri me i mbështetë DKA-të”, u shpreh ai.

Ndërsa, drejtori i arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihu ka bërë të ditur se në spital nuk ka hapësirë të mjaftueshme dhe të përshtatshme, në të cilat do të mund të zhvillohej mësim për fëmijët e shtrirë aty. Për shkak të kësaj, ai thotë se kanë gjetur një mënyrë tjetër. “Në raste të tilla, kur fëmijët mungojnë për arsye shëndetësore gjatë nga bankat shkollore, ne ofrojmë mësim plotësues. Kjo realizohet në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe koordinatorët për cilësi”, bëri të ditur Salihu.

Eksperti i çështjeve të arsimit, Dukagjin Pupovci thotë se një ekspozim i këtyre fëmijëve ndaj procesit mësimor, atëherë kur gjendja e tyre shëndetësore lejon, vetëm që e rritë vullnetin tek ata për ta luftuar sëmundjen, për aq sa shërimi varet nga vullneti.

Në një prononcim për kp, Pupovci ka thënë se një gjë të tillë duhet ta rregullojnë ministritë përkatëse. “Është normale për aq sa lejon gjendja shëndetësore e këtyre fëmijëve, të punohet me ta edhe në drejtim të arsimimit të tyre. Kjo është një çështje të cilën duhet ta zgjedhin bashkë, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Shëndetësisë. Organizime të tilla kanë ndodhur edhe para 40 vjetësh, nuk është diçka e re, por është diçka që me sa e di unë në Kosovën e pasluftës nuk ka ndodhur. Pra, ne kemi një numër të fëmijëve të cilët për fat të keq ndodhen edhe në shtëpi korrektuese dhe për të cilët organizohet mësimi i tillë. Viteve të fundit ka filluar shteti që të përkujdeset dhe tani mendoj se të njëjtin kujdes duhet ta tregojë edhe për fëmijët të cilët janë të shtrirë në institucione shëndetësore”, ka thënë ai.

Ish-drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, tha theksuar se komunat varësisht prej rasteve që i kanë mund të organizohen, duke pasur parasysh numrin e nxënësve që nuk mund të vijojnë mësimin. “Komunat varësisht prej rasteve që i kanë, do të mund të organizonin një gjë të tillë, duke pasur parasysh numrin e nxënësve që nuk mund të vijojnë mësimin, kohëzgjatjen sa ata do të jenë jashtë shkollës, pastaj se ku ata qëndrojnë, ndodhen në spital apo në shtëpi. Pra, thjeshtë nevojitet që të ketë një vullnet dhe pastaj mund të organizohet në mënyrë që të mund të jetë e pranueshme dhe me rezultate sa më të larta për nxënësit dhe pa ngarkesë të madhe edhe për shkollën edhe për komunat. Por është një gjë që nëse ekziston vullneti, mund të realizohet”, u shpreh ajo.

Kurse, kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi ka thënë se kësaj kategorie të fëmijëve do të duhej t’i sigurohej mësimdhënia posaçërisht në lëndët bazë, siç janë gjuha shqipe dhe matematika.

Back to top button