Fermerët gjakovarë pajisen me lopë e makina mjelëse

Këto donacione do t’ju mundësojnë fermerëve të rrisin prodhimin e qumështit dhe qasjen në tregje

Komuna e Gjakovës, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) u dorëzuan 15 fermerëve, përfitues të kësaj komune, nga një lopë dhe pajisje mjelëse në një ceremoni rasti ku u mblodhën familjarë të përfituesve, përfaqësues të komunës nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari dhe zyrtarë të UNDP-së, ka bërë të ditur zyra për informim e kësaj të fundit.

Sipas komunikatës për media, këto donacione do t’ju mundësojnë fermerëve të rrisin prodhimin e qumështit dhe qasjen në tregje, duke krijuar më shumë të ardhura për familjet e tyre.

Ngjarja u zhvillua në kuadër të Paktit Territorial për Punësim të projektit rajonal të UNDP-së dhe ILO-së “Promovimi i Zgjidhjeve Përfshirëse të Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor”.

Paktet Territoriale të Punësimit kanë provuar të jenë një qasje e suksesshme në komunat partnere jo vetëm në përmirësimin e gjenerimit të të ardhurave dhe krijimin e vendeve të punës në nivel lokal, përgjegjshmërinë ndaj nevojave të komuniteteve të tyre, por edhe në bashkëpunimin në mes të komunës dhe sektorit dhe shoqërisë civile, thuhet më tej në njoftimin e dërguar.

Projekti i UNDP-ILO promovon në mënyrë aktive fuqizimin e grave, të rinjve dhe njerëzve të anashkaluar me mundësi për punësim, zhvillim të shkathtësive dhe sipërmarrësisë rurale.

Back to top button