"Nuk duhet harruar që nuk kemi të bëjmë me një skuadër amatore, por me shtatë herë fituesin e UEFA Champions League"

“Nuk duhet harruar që nuk kemi të bëjmë me një skuadër amatore, por me shtatë herë fituesin e UEFA Champions League”

Më 10 gusht, në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja miqësore mes skuadrës kampione të Kosovës, Feronikelit dhe gjigantit nga Italia, Milan.

Ka pasur shumë ankesa nga tifozë kosovar për çmimin e lartë të biletave për këtë ndeshje, të cilat kanë filluar të shiten dje. Varësisht nga pozita e stadiumit dhe ulësja, çmimet fillojnë nga 35 euro, 50 euro, 85 euro, 115 euro dhe zona VIP 155 euro.

Lidhur me çmimet e biletave, klubi i Feronikelit ka reaguar nëpërmjet një njoftimi.

“Kemi marrë disa mesazhe se çmimi i biletave është i lartë e po ashtu ka pasur edhe disa reagime që na shtynë drejt këtij sqarimi, por ne si klub, për fat të keq nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim. Kompania organizuese e këtij eventi të madh futbollistik, AS Events, ka të drejtën ekskluzive të shitjes së biletave dhe si e tillë, çmimet dhe vendosjen e tyre në bazë të ulësve e cakton vetëm ajo. Nuk duhet harruar që nuk kemi të bëjmë me një skuadër amatore, por me shtatë herë fituesin e UEFA Champions League”, ka njoftuar klubi përmes një shkrimi.

KF Feronikeli ka kërkuar mirëkuptim nga ata që nuk mund të sigurojnë bileta.

“Është ndeshje historike për Kosovën dhe që asnjëherë më parë nuk ka zbarkuar skuadër më e madhe se Milan në “Fadil Vokrri”, sidomos për takime miqësore. Prandaj, organizimi i kësaj super miqsoreje kërkon angazhim të jashtëzakonshëm dhe i është besuar kompanisë së lartëpërmendur. Ne si klub mund të kërkojmë vetëm mirëkuptim nga ata që nuk mund të sigurojnë një biletë për të parë ndeshjen nga afër”, ka shkruar më tutje klubi.

Ndeshja do të zhvillohet më 10 gusht 2019 nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.