Prokuroria ka nisur hetimet për mënyrën se si janë shitur biletat

Prokuroria ka nisur hetimet për mënyrën se si janë shitur biletat

Është bërë rutinë që biletat e ndeshjeve të kombëtaren e Kosovës të shiten brenda pak minutave. Për këtë kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Shtetit, por deri tani nuk është njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët thonë se interesimi i madh i tifozëve është krenari, por në anën tjetër ka filluar t’i bezdisë.

Shumë dashamirë të futbollit ankohen se po mbesin pa bileta në prag të ndeshjeve, kur Kosova po luan si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë. Një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës janë ankuar për mënyrën e shitjes të këtyre biletave nëpërmjet sistemit online “tiks.app”, bileta këto të cilat pas një kohe të shkurtër kanë përfunduar në tregun e zi me çmime marramendëse.

Pas të gjitha këtyre ankesave, prokurori i shtetit ka nisur hetimet rreth mënyrës se si po shiten këto bileta.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu ka thënë për kp-në, se tanimë informatat e para janë mbledhur dhe janë dërguar te Gjykata Themelore e Prishtinës për të vazhduar tutje me procedurat. Mirëpo, Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga prokuroria. Një gjë të tillë për kp-në ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Sipas tij, kjo ndërhyrje e organeve të drejtësisë nuk i shërben fare mirë sportit të futbollit të Kosovës, e lërë më tani, kur Kosova është duke kaluar në një formë jashtëzakonisht të mirë.

“Nëse ka indicie për keqpërdorim duhet me qenë e bazuar në fakte shumë të rëndësishme. Kjo është ndërhyrje dhe ne sigurisht që do të bisedojmë edhe me FIFA edhe UEFA, ia kemi çelur këtë temë sepse po e shpjegoj shkurt mënyrën e shpërndarjes. Unë nuk merrna me këtë, është “ticket oficer”, komiteti ekzekutiv e tjerë, dy tre persona që merren po iu them kështu, biletat ia kemi dhënë një kompanie, biletat që janë për shitje, janë me kontraktuesin, ai bënë shitjen online, përgjegjësia e tyre është ekskluzive. Ne e kemi marrë vendim, komitetit ekzekutiv, jo ne që me i shit më së shumti tri bileta për një person. A mbushet sistemi, ne kemi informata që rreth 130 mijë persona kanë aplikuar për 10-11 mijë bileta. Kjo i bie që çdo i 13-i blen biletë. Kjo është një krenari që kemi kaq shumë tifozë por në anën tjetër ka filluar të na bezdisë edhe të na nxin jetën, për arsye se ne nuk mundemi me krijuar një stadium me 100 mijë shikues që do të ishte e mrekullueshme, pra ka filluar kjo me na nxi jetën çdoherë e më shumë “, ka thënë fillimisht Salihu.

Salihu ka shtuar se nëse prokuroria ka nis të merret me një gjë të tillë, atëherë le të shkojë deri në fund dhe të sqarohet mirë e gjërat.

Ndërkohë që, njohësi dhe analisti i futbollit kosovar, Arsim Prepolli ka thënë se për këtë problem nuk mund të fajësohet Federata e Futbollit të Kosovës. Sipas tij, më së miri këtë çështje duhet ta sqarojë vet kompania që po merret me shitjen e këtyre biletave.

Kp ka tentuar gjatë ditës të marrë një përgjigje edhe nga shefi i sistemit të shitjes online të biletave “tiks.app”, Ardian Kelmendi, por ai nuk ka dashur të flas për këtë çështje.

Sipas tij, në bazë të kontratës që ka me Federatën e Futbollit të Kosovës, nuk i lejohet të jap ndonjë raport të veçantë për mediat.

Ditë më parë edhe kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” kishte reaguar duke treguar dy mënyrat se si prokuroria do ta kishte shumë të lehtë për të zgjidhur këtë çështje.

Sipas tij, e gjitha se çfarë duhet të kërkojë kompania që e ka marrë përsipër shitjen e biletave janë listën me “timestamp” për të gjithë personat që kanë arritur të blejnë biletat dhe pasqyrën e llogarisë “Merchant account”, të kompanisë.

Me këto dyja ka thënë se do të vërtetohej nëse është e vërtetë se biletat po shiten për një kohë të shkurtër apo këtu ka ndonjë parregullsi në shitjen e këtyre biletave. Mbetet të shihet se si do të vazhdohet me shitjen e biletave në të ardhmen, e sidomos për ndeshjen që Kosova e zhvillon ndaj Anglisë në shtëpi, ku pritet të jetë tejet e vështirë të sigurohet një biletë.