Nesër zhvillohet ndeshja Kosovë-Bullgari

Nesër zhvillohet ndeshja Kosovë-Bullgari

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar opinion publik se dyert e stadiumit “Fadil Vokrri” për ndeshjen kualifikuese për Euro 2020, Kosovë – Bullgari, e cila zhvillohet të hënën, më 25 mars në orën 20:45, do të hapen në orën 18:00.

Sipas FFK-së, asnjë person, përfshirë edhe fëmijët pavarësisht moshës, nuk do të lejohen të hyjnë në zonën e stadiumit pa biletë.

Në hyrjet e stadiumit, si dhe brenda stadiumit do të aplikohen masa të rrepta kontrolli, prandaj luten të gjithë qytetarët që të lexojnë me kujdes rregullat e mëposhtme dhe t’i respektojnë kërkesat.

Qytetarët të cilën nuk i përfillin rregullat e sigurisë mund të jenë subjekt për ndëshkim nga organet ligjore.

Rregullat:

1. Dyert e stadiumit hapen në ora 18:00.

2. Luten qytetarët që të vijnë me kohë në stadium, duke filluar nga ora 18:00 për të shmangur tollovinë.

3. Nuk shiten bileta në zonën e stadiumit. Qytetarët të cilët nuk kanë biletë luten të mos vijnë në zonën e stadiumit sepse shkaktojnë tollovi. Qytetarët pa biletë do të largohen nga policia.

4. Nuk lejohet hyrja pa biletë. Një bilete një person. Asnjë person, pavarësisht moshës, nuk do të lejohet të hyjë në stadium pa biletë. Kjo vlen edhe për fëmijët.

5. Gjërat që nuk lejohen përfshijnë:

– Mjetet piroteknike

– Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë

– Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë

– Pijet alkoolike dhe substancat narkotike

– Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh) si fara, çipsi, smoki, kikirikë, lajthi, badem, etj.

– Ombrella

– Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë

– Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palodhshme) etj.

– Kamera profesionale dhe video kamera

– Pajisjet elektronike, mekanike ose manuale, që prodhojnë zhurmë, si megafonë, bori ose vuvuzele

– Materialet promovuese ose komerciale

– Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar

6. Qytetarët njoftohen që, për arsye të sigurisë, nuk lejohet bllokimi i rrugëve të evakuimit në tribuna. Prandaj, ulja në shkallët e stadiumit është rreptësishtë e ndaluar.

FFK-ja ka kërkuar nga qytetarët që i kanë të parkuara veturat përreth stadiumit në vende të pacaktuara për parking, që t’i largojnë ato më së largu deri të hënën në mëngjes në orën 07:00.

Çdo veturë e mbetur pas kësaj periudhe do të konfiskohet nga kompanitë përgjegjëse për largimin e veturave.

FFK-ja kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe beson në bashkëpunim të ndërsjellë, pasi e gjithë kjo bëhet me qëllim të organizimit sa më të mirë dhe sigurisë në stadium.