Nesër zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi

Nesër zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi në shoqëri të nënkryetarit Bakir Burri dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu ka shtruar darkë për krerët e Federatës së Futbollit të Malit të Zi në krye me presidentin e saj, Dejan Saviçeviq, si dhe për delegatin e UEFA-s për ndeshjen e nesërme kualifikuese për Euro 2020, ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Gjatë kësaj darke të dyja palët kanë biseduar për rrjedhën e deritanishme të këtij cikli kualifikues për të dyja kombëtaret, si dhe për zhvillimin e futbollit në të dyja vendet fqinje.

Delegacioni malazez u shprehën të mahnitur me zhvillimin e hovshëm të Kosovës, si në aspektin e futbollit e po ashtu edhe në ndryshimin e gjërave për të mirë në infrastrukturën e kryeqytetit që nga koha e paraluftës.

Të dyja palët uruan njëra-tjetrën për lojë korrekte në ndeshjen e nesërme, derisa në fund u shkëmbyen edhe dhurata.

Kosova me Malin e Zi do të përballet nesër me fillim nga ora 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Kombëtarja e Kosovës shpreson në fitore, për t’i rritur gjasat e saja për një kualifikim të mundshëm në evropian.