Ademi u njoftua për gjendjen shëndetësore të futbollistëve

Ademi u njoftua për gjendjen shëndetësore të futbollistëve

Me rastin e pezullimit të kampionatit për shkak të koronavirusit, kryetari i FFK-së, Agim Ademi gjatë ditës së sotme ka vizituar Lidhjen Rajonale të Futbollit në Mitrovicë. Ademi u njoftua nga kryetari i LRF-së së Mitrovicës, Adem Çollakaj për gjendjen shëndetësore të futbollistëve dhe punëtorëve sportivë në këtë regjion

Ademi së bashku me përfaqësuesin e këtij regjioni në KE të FFK-së, Xhelal Broja njoftuan për vendimin e KE-së për t’i ndihmuar klubet në këtë gjendje emergjente, si dhe dhanë detajet e vendimeve të UEFA-s për kampionatet kombëtare. Njëherësh presidenti Ademi u bëri me dije kryetarit dhe anëtarëve të LRF të Mitrovicës se Federata është e gatshme ta ndihmojë komunitetin e futbollit në këtë regjion në të gjitha nevojat që kanë në këtë kohë të vështirë si pasojë e pandemisë.

I pari i FFK-së dhe anëtari i KE-s, Broja uruan që të gjithë futbollistët dhe punëtorët sportivë ta kalojnë këtë situatë pa u prekur nga ky virus.

“Presidenti Ademi shprehu bindjen e tij se shumë shpejt do të kalojë edhe koha e këtyre viruseve dhe ato do të jenë sa më larg futbollistëve dhe futbollit, duke ritheksuar edhe një herë se pa frikë e pa panik, por me kujdes dhe durim do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.