Pas ankesës së Nismës Socialdemokrate

Pas ankesës së Nismës Socialdemokrate

Në Qendrën për Rinumërim dhe Rezultate sapo filloi rinumërimi i 1428 vendvotimeve pas vendimit të PZAP-së, apo ndryshe po rinumërohen rreth 56% e vendvotimeve të përgjithshme.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në vendimin e tij ditë me parë paraqiti vendimin për rinumërim të 1472 vendvotimeve, por sipas KQZ kanë ndodhur disa gabime nga ana e PZAP, pasi që disa vendvotime janë shkruar dy herë që të rinumërohen.

Për numrin e vendvotimeve që do të rinumërohen ka folur edhe zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Pasi e kemi marrë vendimin e PZAP-it dhe pasi kemi parë me vëmendje listën e vendvotimeve që duhet të rinumërohen, mund t’iu them se janë: 1 mijë e 428 vendvotime që do të rinumërohen gjatë ditëve në vazhdim. Pra, nga lista e PZAP-it 30 vendvotime ishin të shënuara nga dy herë dhe 12 vendvotime të tjera janë rinumëruar më parë në QNR me vendim të KQZ-së.”, ka deklaruar Elezi.

Elezi gjithashtu ka deklaruar se Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces.

Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi, ka përfunduar Elezi./21Media