1.8 milionë euro do të kushtojë projekti

1.8 milionë euro do të kushtojë projekti

Në Mitrovicë ka filluar realizimi i projektit për rregullimin e shtratit të lumit Ibër. I pari i komunës, Agim Bahtiri përcolli nga afër punimet dhe theksoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm dhe një prej projekteve më të mëdha që realizohet në qytetin e Mitrovicës, bëhet e ditur në njoftimin e komunës.

“Projekti i rregullimit të shtratit të lumit Ibër përveç rregullimit të shtratit të lumit, do të përfshinë edhe rregullimin e hapësirave tjera, ashtu sikur që është vepruar më parë me rregullimin e pjesës nga ura kryesore mbi lumin Ibër, deri te vigu që lidh tre rrokaqiejt e pjesës veriore me pjesën jugore të qytetit”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Po ashtu kryetari Bahtiri tha se ky projekt parashihet të ketë shtegun për këmbësor, hapësira gjelbërimi, ndriçim publik, mure mbrojtëse, ura kaluese apo pragu kapërderdhës, i cili do të shërbejë si pushimore për qytetarët e Mitrovicës.

Ky projekt i cili do të shtrihet deri tek Ura e Ibrit, do të posedojë një infrastrukturë të rregulluar mirë, do të ofrojë pamje jashtëzakonisht të bukur dhe njëkohësisht do të shërbejë si një pikë turistike që do të tërheqë numër të madh të vizitorëve, duke e bërë Mitrovicën model për qytete të tjera.

Rregullimi i shtratit të këtij lumi do të kushtojë rreth 1.8 milionë euro, i cili bashkëfinancohet nga Komuna e Mitrovicës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa pritet të përfundojë brenda një periudhe të shkurtër kohore./21Media