Rrënimi i shtëpive do të bëhet brenda 8-9 ditëve

Rrënimi i shtëpive do të bëhet brenda 8-9 ditëve

Drejtoria e Inspektoratit në Prizren sot ka filluar largimin e pengesave dhe gypave të betonit që qëndronin përreth 2 shtëpive në rrugën “Marin Barleti”.

Të dy shtëpitë pritet të rrënohen, meqë paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve. Në njërën nga këto shtëpi, me 6 qershor të vitit 2016 kishte humbur jetën 3 vjeçarja, Xheneta Gashi si pasojë e shembjes së një pjese të shtëpisë.

Drejtori i Inspektoratit në Prizren, Islam Thaçi për kallxo.com tha se rrënimi i këtyre shtëpive do të bëhet brenda 8-9 ditëve.

Si parakusht për rrënimin e tyre, Drejtoria e Inspektorateve është pajisur pëlqimin e Ministrisë së Kulturës, si dhe ka siguruar lejen e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë së Shërbimeve Publike për rrënimin e tyre.

Këto dy parcela ku po bëhet rrënimi i objekteve i përkasin projektit të “Revitalizimi dhe integrimi socio-ekonomik i komunitetit lokal në rrugën ‘Marin Barleti’ në Prizren”.

Ky projekt është iniciuar që nga viti 2017 dhe është koordinuar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe organizata “EC ma ndryshe”.

Projekti është financuar nga Ministria e Kulturës, Zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë dhe Komuna e Prizrenit.

Drejtori Thaçi tha se kjo pjesë do të rivitalizohet dhe rindërtohet./kallxo.com