Filluan punimet në dy projekte infrastrukturore të Skënderajt

Këto rrugë u japin qasje fshatrave dhe i lidhin ato me qytetin

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj, të enjten mori pjesë në fillimin e punimeve në rrugën Skënderaj – Vushtrri dhe Kotorr – Qubrel, investime të MIT.

Ministri Lekaj tha se ndihet mirë se po investohet në përmirësimin e jetës më të mirë të qytetarëve të Skënderajt dhe anë e kënd Kosovës. Ai shtoi se pa i zhvilluar komunat e zonat rurale nuk zhvillohet as shteti.

Kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, e falënderoi ministrin Lekaj për investimet në projektet e infrastrukturës rrugore në Skënderaj dhe tërë Kosovën pa dallim bindjesh politike, sepse këto rrugë u japin qasje shumë fshatrave dhe i lidhin ato me qytetin.

Rruga Skënderaj – Vushtrri, është e gjatë afër 14.3 kilometra, ka kosto prej 800 mijë euro. Ndërsa rruga Kotorr – Qubrel, ka gjatësi prej 8.7 kilometra, vlera e saj është 430 mijë euro.

Back to top button