Gjatë këtij viti kanë filluar xhirimet rreth 19 filma të metrazheve të ndryshme,  ndërsa të gatshëm për shfaqje janë 13 filma

Gjatë këtij viti kanë filluar xhirimet rreth 19 filma të metrazheve të ndryshme,  ndërsa të gatshëm për shfaqje janë 13 filma

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku, në një interviste për rtv21.tv tregoi se filmat e mbështetur nga QKK kanë pasur suksese të vazhdueshme në pesë 5 vitet e fundit, të cilët sipas Zharkut këtë vit janë shfaqur në 5 festivale të kategorisë ‘A’.

”Filmi ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli pati premierën në Karlovy Vary International Film Festival pastaj u shfaq edhe në International Film Festival Goa të Indisë, filmi ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela pati premierën në Montreal World Film Festival, filmi ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri pati premierën në Tallinn Black Nights Film Festival dhe u kthye me dy çmime si dhe filmi i shkurtër ‘Një Muaj’ nga Zgjim Terziqi i cili pati premierën në Cairo International Film Festival”, tha Zharku.

Sipas Zharkut, viti 2017 ka qenë një vit i suksesshëm për Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe për filmat e mbështetur nga QKK. Por, tha se QKK ka pasur shumë sfida, të cilat kanë rezultuar me suksese, siç është pranimi i Kosovës në SEE Cinema Network dhe lidhja e marrëveshjeve tjera gjatë këtij viti.

QKK përveç Berlinales dhe Cannes, këtë vit siç theksoi drejtori i QKK-së ka qenë e pranishme në më shumë tregje të filmit, ku për herë të parë u promovua edhe në Beldocs Market në Serbi, Annecy Film Festival në Francë, Balkan Film Market në Shqipëri dhe në TIFFCOM në Japoni.

”Gjithashtu këtë vit janë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme për filmbërësit kosovarë, siç është Memorandumi i Mirëkuptimit me EAVE, marrëveshje bashkëpunimi me tregun e bashkëprodhimit të festivalit evropian të njohur Les Arcs European Film Festival në Francë, me punëtorinë Rotterdam Lab, pjesë e International Film Festival Rotterdam në Holandë si dhe me forumin e bashkëprodhimit When East Meets West, e cila do të mbahet në fillim të 2018-tës në Trieste”, theksoi Zharku për rtv21.tv

Ai shtoi se gjatë këtij viti kanë filluar xhirimet rreth 19 filma të metrazheve të ndryshme, prej të cilëve, disa janë ende duke xhiruar e të tjerët janë në post-production, ndërsa të gatshëm për shfaqje janë 13 filma, që kanë pasur premierën ose që presin ta kenë. Disa nga filmat e përfunduar sipas tij janë: ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, ‘Rooftop Story’ nga Gazmend Nela, ‘Gjumë dhe Dashuri’ nga Arsim Haliti, ‘Gardhi’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Ncuk, ncuk, ncuk’ nga Visar Arifaj, ‘Once upon a time’ nga Ekrem Rrahmani ,etj.

Një sfidë e vazhdueshme e këtyre dy viteve është pritja të hyj në fuqi Rregullorja për lehtësirat financiare në bazë të së cilës do të tërheqim investime të huaja në Kosovë në fushën e industrisë së filmit, rregullore kjo që inkurajon dhe iu hap rrugën investitorëve të huaj për të xhiruar në Kosovë.

Drejtori i QKK-së tregoi se në vitin  2017 ka mbështetur 18 projekte filmike të kategorive të ndryshme, ndërsa deri më tani 115 filma.

I pyetur se cilat janë  prioritetet e QKK-së për vitin e ardhshëm, drejtori Zharku tha se QKK çdo vit e ka prioritetin organizimin e konkursit dhe financimin e projekteve filmike si dhe aktivitetet tjera në ngritjen e institucionit dhe kinematografisë kosovare.

Ai numëroi disa nga planifikimet për vitin 2018. ”Futja në funksion të Rregullores për lehtësirat financiare, të cilat do të tërheqin investime të huaja në Kosovë, në fushën e industrisë së filmit, rregullore kjo që inkurajon dhe u hap rrugën investitorëve të huaj për të xhiruar në Kosovë. Poashtu do të lobohet për anëtarësimin e Kosovës në Euroimages si dhe në Creative Europe, këto dy platforma shumë fitimprurëse dhe të rëndësishme për vendin tonë dhe kinematografinë kosovare, me qëllimin e zhvillimit sa më të madh të industrisë tonë. QKK vitin e ardhshëm do të hartojë marrëveshjet e bashkëpunimit me Bullgarinë, Kroacinë dhe Turqinë, gjë që do të rrit bashkëprodhimin e Kosovës me këto shtete. Gjatë vitit 2018 shpresojmë që të hyj në funksion edhe Rregullorja e Ministrisë së Kulturës për sponzorizime, që do të jetë edhe një mundësi më shumë në gjetjen e fondeve alternative për filmbërësit kosovar”, theksoi Zharku për rtv21.tv

Drejtori i QKK-së tregoi se Qendra Kinematografike e Kosovës këtë vit ka pasur buxhetin 770 mijë euro./21Media