"Agnus Dei" fitoi çmimin e Regjisorit më të mirë në Pallma de Mallorca të Spanjës 

“Agnus Dei” fitoi çmimin e Regjisorit më të mirë në Pallma de Mallorca të Spanjës 

Filmi kosovar AGNUS DEI ka fituar çmimin e Regjisorit më të mirë/Best Director, në festivalin dhjetëditor Cine Autor, i cili u mbajt nga data 23 shtator deri më 3 tetor në Palma de Mallorca të Spanjës.

Festivali spanjoll, i cili promovon filmin autorial, ka shpërblyer filmin Kosovar me motivacion se ‘shfaq një botë krejtësisht të veçantë, të thurur me mëvetësi brilante kinematografike, thellësisht reale dhe të njëjtën kohë krejtësisht onirike. Botë e parë nga thellësitë e ndërdijes, nga mbamendjet  mitike, duke ardhur në ditët e sotme si mallkime e dëshpërime i vetëdijes së errët njerëzore’.(Pau Serra, kryetar i jurisë ndërkombëtare). Filmi Agnus Dei, para dhjetë ditësh kishte fituar edhe Çmimin e filmit më të mire /Best Fiction Film/ në Falcon International Film Festival, i cili është mbajtur në Londër dhe kështu ka radhitur pas vete 113 çmime ndërkombëtare.

Filmi Agnus Dei, ka përfaqësuar Kosovën në më shumë se 220 festivale ndërkombëtare, ka pasur mbi 60 nominime, ka arritur të bëhet pjesë e enciklopedive kinematografike të botës, e përzgjedhjeve të instituteve dhe ka arritur të distribuohet përmes platformave më të mëdha digjitale si: Amazon.com, Netflix, Google Play Store, Sony Play Station dhe VOD Cine Autor.

Agnus Dei, trajton fatin e një lloj Edipi të ditëve tona. Drama tronditëse, shtjellon fatin e Petrit, një të riu rreth të tridhjetave, i cili bënë një jetë të dëshpëruar me të ëmën Maria dhe burrin e saj Stojanin në një fshat në  Serbi.  Petri, ka lindur në Kosovë nga një ‘dashuri e ndaluar’ mes  nënës së tij Mari dhe babait shqiptar Dinit. Është koha kur marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve janë armiqësore, pikërisht në prag të luftës. Pas migrimit nga Kosova, kur Petri rritet e shkollohet, ai cytet nga e ëma dhe rrethi që të shkoj në luftën e Kosovës. Ai do të ikën nga lufta për në perëndim, por mobilizohet dhunshëm dhe rekrutohet në një njësit ushtarak në luftën e Kosovës. Gjatë një aksioni të përgatitur në shenjë hakmarrjeje, Petri vret babanë e vet Dinin, të cilin nuk kishte arritur asnjëherë ta njoh. Duke mos mundur të duroj krimet arbitrare që kruhen në mënyrë sistematike nga njësiti i tij, Petri dezerton nga ushtria. Ai  merr me vete të bijën e Dinit, Marien dhe ikën. Gjatë një rrugëtimi të vështirë, kur ata ndiqen nga palët e armiqësuara, Petri dhe Maria bien në dashuri. Ata arrijnë të kthehen në shtëpinë e Petrit, në Vojvodinë. Përmes raporteve të tensionuara me të ëmën, Petri mëson se ka vrarë babanë e vet biologjik dhe se është dashuruar në motrën e vet. Duke mos mundur ta përballoj dramën e papritur, ai ia merr vetes jetën./21Media