Historia e dy homoseksualëve pritet të nxitë reagime të shumta

Historia e dy homoseksualëve pritet të nxitë reagime të shumta

Për publikun kosovar sot është prezantuar për herë të parë filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri. Në këtë film paraqitet një trinom problematik dashurie. Teksa Bekimi dhe Anita, përgatiteshin për dasmën e tyre, vjen një moment kur në film shfaqet Noli, i cili i jep një drejtim krejt tjetër filmit.

Artisti i cili kthehet nga Franca, për të takuar dashurinë e jetës së tij, Bekimin, në fakt u ballafaqua me një ngjarje të cilën nuk e priste, Bekimi kishte vendosur që të martohej me një grua, Anitën. Momente dramatike u zhvilluan që nga momenti kur Noli, u paraqit në jetën e tyre. Në fakt, kjo është fabula e filmit “Martesa”, në të cilin rolet kryesore u interpretuan nga aktorët Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu, për të cilin ishte përvoja e parë në një projekt filmik.

Alban Ukaj dhe aktorja Adriana Matoshi, thanë se ishte një eksperiencë e re, por shumë e rëndësishme me regjisoren Blerta Zeqiri.  Aktorët Alban Muja dhe Genc Salihu thanë se janë të përgatitur për çdo lloj reagimi, pasi që janë të vetëdijshëm që homoseksualiteti vazhdon të jetë tabu në vendin tonë.

Regjisroja Blerta Zeqiri tha se filmi “Martesa” është projekti i saj më së miri i realizuar deri më tani. Pas suksesit të saj në festivalin Talin në Estoni, regjisorja Blerta Zeqiri, tregoi që pret një rrugëtim të mbarë të filmit edhe në festivale tjera ndërkombëtare.

 Filmi, nga data një shkurt do të jetë në repertorin e rregullt në Cineplex në Prishtinë dhe në DokuKino në Prizren, përderisa në Shqipëri premierën do ta ketë më dy shkurt./21Media