Filmi është realizuar sipas "Ditarit të Luftës", të Rreze Abdullahut

Filmi është realizuar sipas “Ditarit të Luftës”, të Rreze Abdullahut

Filmi “Rreze” me regji të Lorena Sopit mbrëmë ka fituar çmimin “Filmi më i mirë i luftës” në festivalin “Movie Screen Pro Film Festival”, që u mbajt nga data 11 deri më 16 shtator në Los Angeles, SHBA. Ky është çmimi i parë për filmin “Rreze”,  që e pret një rrugëtim i gjatë ndërkombëtar.

Filmi në muajin maj u shfaq premierë në Cannes Film Festival – Short Film Corner, si dhe në festivalin e famshëm San Gio Verona Film Festival. Filmi gjatë këtij muaji dhe muajit në vijim, do të shfaqet në programet zyrtare të Goa Short Film Festival – Goa, Indi, Asa Humanitarian Film Festival – Weimar, Gjermani,  Corto e a Capo Film Festival – Venticano, Itali, Sose International Film Festival – Yerevan, Armeni, Roma Independent Film Festival – Roma, Itali, Festival Film International Signes de Nuit – Paris, Francë, etj.

“Në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999,  Rreze Avdullahu  kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shenjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë:  unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veq po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qanë. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar që  ushtarët nuk qajnë kurr. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë…Filmi ‘Rreze’ është realizuar sipas ‘Ditarit  të luftës’ të Rreze Abdullahut”, thuhet në njoftimin e regjisores.

Në rolet kryesoret të këtij filmi luajnë : Agron Shala, Glorioza Shala, Aurita Agushi. Në rolet tjera paraqiten: Selman Lokaj, Beslidhje Bytyqi dhe Uran Duli.

Filmi është me regji të Lorena Sopit, kompozitor Mendi Mengjiqi, drejtor fotografie Besnik Hasolli dhe zëri Gëzim Rama./21Media