Finalizimi i platformës brenda tri ditëve të ardhshme

Limaj ka thënë pas takimit se janë duke punuar për finalizimin e platformës

Ekipi negociator sot pasdite ka mbajtur një takim në ambientet e Kuvendit të Kosovës për harmonizimin dhe finalizimin e platformës për dialogun me Serbinë.

Bashkëkryesuesi i ekipit, Fatmir Limaj ka thënë pas takimit se janë duke punuar për finalizimin e platformës dhe beson se në tri ditët e ardhshme do ta përmbyllin dhe deri në fund të javës t’i prezantohet Kuvendit të Kosovës në një seancë për diskutim.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka folur rreth platformës së dialogut, për të cilën ka thënë tha se ajo gjatë ditëve në vijim do t’i dorëzohet parlamentit. Kreu i qeverisë ka theksuar se nëse i japin përkrahje platformës, atëherë do të jenë unik të gjithë, ndërsa i ka ftuar partitë opozitare që të kontribuojnë dhe të jenë pjesë e kësaj platforme, pasi vetëm në këtë formë do të jenë fitues të gjithë.

Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli sot në mesditë ka pritur në takim të përbashkët Presidentin Hashim Thaçi, Kryeministrin Ramush Haradinaj, Bashkëkryesuesin e Delegacionit Shtetëror për Dialog, Fatmir Limajn, si dhe anëtarët e Delegacionit, Enver Hoxhaj dhe Visar Ymerin. Në këtë takim është diskutuar për procesin e fazës finale të Dialogut, me theks të veçantë për Platformën e Dialogut, e cila pritet të miratohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës.

Back to top button