Gjermania në “hall”

Gjermania në “hall”

Në Gjermani ende ka rreth 1 milion vende të lira të punës, ndërsa punëdhënësit po ankohen se nuk po ka kandidatë të mjaftueshëm për të mbuluar këto vende të punës.

Asnjëherë më parë që nga bashkimi i vendit, në Gjermani nuk ka mbretëruar një kërkesë më e madhe për fuqi punëtore.

E përjavshmja gjermane, Der Spiegel, shkroi se në radio, në internet, në televizion, firmat me anë të shpalljeve janë duke kërkuar punëtorë, ngase ekonomia është duke u fuqizuar, eksporti po lulëzon, gjermanët po shpenzojnë paratë e tyre dhe se disponimi në mesin e firmave është i mirë si rrallë herë më parë.

Megjithatë, ekonomia gjermane tani është në fazën e nxehjes së tepërt, tërhoqën vërejtjen ekonomistët, gjë që mund të shkaktoi telashe.

“Nxehja e tepërt ndodhë kur shtimi ekonomik tejkalon mundësitë e prodhimit. Ky dallim, i cili quhet vrimë në prodhim, është gjithnjë e më i madh në Gjermani. Një nga treguesit e nxehjes së tepruar është edhe mungesa e fuqisë punëtore në disa sektorë të ekonomisë”, shkruan Spiegel.

Për mungesën e fuqisë punëtore kanë shkruar edhe mediat tjera gjermane dhe ekspertët kanë tërhequr vërejtjen se gjatë viteve në vijim, në Gjermani do të ketë mungesë të madhe të personelit mjekësor dhe përmendet rasti i një klinike, e cila ka ofruar një shpërblim prej 1 mijë euro për të gjithë ata, të cilët gjejnë teknikë të kualifikuar mjekësor për punësim.