TKK me kryesues të ri të bordit

TKK me kryesues të ri të bordit

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nga sot nuk është i plotë. Kryetarja e këtij Këshilli, Burbuqe Berisha, ka dhënë dorëheqje. Ajo ka thënë se arsye është presioni i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Berisha ka qartësuar se kjo agjenci i ka kërkuar që të heq dorë nga detyra e saj si Dekane që e ushtron në një nga universitetet private në Kosovë, kështu duke mos dashur që të konsiderohet konflikt interesi, ajo është dorëhequr nga pozita e Kryetares së Këshillit Drejtues të TKK-së.

Dorëheqjen ia ka paraqitur Ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, përmes një letre të cilën nuk e ka dërguar personalisht për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës të cilët kanë vendosur që kryesues i këshillit drejtues të këtij institucioni të jetë aktori Fisnik Ademi, i cili njëherit ka qenë edhe anëtar i këtij bordi. Ademi do të ushtroj mandatin e plotë të kryetarit të bordit të Teatrit Kombëtar të Kosovës./21Media