Ismaili është shpallur fajtor nga gjykata

Ismaili është shpallur fajtor nga gjykata

Deputeti i PSD-së, Fisnik Ismaili, i akuzuar nga Prokuroria për posedimin e armëve (bombolave të gazit) është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ismaili, ish-deputet i vetëvendosjes, është dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.

Ai është liruar nga shpenzimet e procedurës penale, ndërsa për paushall gjyqesor është obliguar t’i pagujë gjykatës shumën prej 100 euro.

Shpallja e aktgjykimit është bërë nga gjykatësi Vesel Ismajli.

Prokurori, Ilaz Beqiri në seancën e kaluar kishte hequr dorë për pikën dy të aktakuzës, për veprën penale pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Për shkak se është vërtetuar se i akuzuari Ismaili nuk i kishte penguar Policinë e Kosovës, në detyrën e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Fisnik Ismaili, që atëherë ishte deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, pa autorizim ka poseduar armë dhe më 30.11.2015 rreth orës 10:45 gjatë një kontrolli nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, në hollin e Kuvendit, atij i ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës të cilat i kishte fshehur në këpucë./kallxo.com