Ballkani në krye të Superligës

Ballkani në krye të Superligës

Sot janë zhvilluar tri ndeshje të tjera në javën e 12-të, të Ipko Superligës së Kosovës në futboll.

Ballkani i Ismet Munishit arriti të fitojë tri pikë në ndeshjen kundër Dukagjinit. Vendësit qysh në pjesën e parë treguan nivelin e tyre duke shënuar tri gola, rezultat me të cilin përfundoi edhe ndeshja.

Golin e parë e shënoi Blend Baftiu në minutën e 18-të, ndërsa katër minuta më vonë Arbër Hoxha dyfishoi rezultatin, golin e tretë i cili njëkohësisht ishte edhe goli përfundimtar në ndeshje e shënoi Jetmir Topalli në minutën 45+1.

Nga ana tjetër edhe Drita fitoi ndeshjen ndaj Ferizajit me rezultat 2-0.

Në pjesën e parë asnjëra nga skuadrat nuk arritën të gjejnë rrugën drejt golit, mirëpo në pjesën e dytë Drita shënoi dy herë brenda shtatë minutave. Në minutën e 63-të, Bujar Shabani shënoi golin e parë të ndeshjes, ndërsa në minutën e 70-të, Betim Haxhimusa dyfishoi rezultatin, rezultat me të cilin përfundoi edhe ndeshja.

Nga ana tjetër Gjilani nuk arriti të fitojë ndeshjen ndaj Trepçës’89, gjë që bëri të humbasë kreun e tabelës.

Golin e parë për Trepçën e shënoi Arb Manaj në minutën e 60-të, ndërsa pas pesë minutave Engjëll Hoti shënoi edhe golin e dytë, i cili njëkohësisht ishte goli i fundit në këtë ndeshje.