Sipas Osmanit, LDK hynë në këtë proces zgjedhor e bashkuar si në kohën e Rugovës

 Sipas Osmanit, LDK hynë në këtë proces zgjedhor e bashkuar si në kohën e Rugovës

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani ka thënë sot gjatë tubimit elektoral në Prishtinë se 6 tetori do të jetë dita kur Kosova do të çlirohet nga ata që e kanë rrënuar besimin në institucione dhe kanë prishur miqësinë me SHBA-të dhe BE-në.

“6 tetori do të jetë datë feste. Atë ditë do të çlirohemi nga ata që rrënuan besimin në institucionet e vendit nga ata që e vunë në lojë miqësinë tonë të shenjtë e jetike më SHBA-të dhe BE-në. Fitorja jonë në këto zgjedhje do ta kthej Kosovën plot dinjitet në hartën e vendeve të lira nga ku e larguan pushtetarët e papërgjegjshëm e të padijshëm që tash e sa vite qeverisën me koncepte abuzive dhe të cilët e rrezikuan edhe vet ekzistencën e shtetit tonë”, ka thënë Osmani.

Ajo u ka thënë përkrahësve të mbledhur në sheshin kryesor të Prishtinës se LDK hynë në këtë proces zgjedhor e bashkuar si në kohën e presidentit historik, Ibrahim Rugova me qëllimin e vetëm për ta ç’kapur shtetin e Kosovës.

“Qeveria e LDK-së do të ndërmarrë hapa të shpejtë për dekriminalizmin e sistemit të drejtësisë, përfshirë krijimin e institucioneve të veçanta për hetim të pasurisë. Siguria, rendi e ligji janë domosdoshmëri dhe ne do të punojmë që drejtësia të jetë e pavarur nga politika dhe krimi. Në do të punojmë që bizneset të çlirohen nga shantazhet dhe haraçi dhe nga hisja që ua ka kërkuar shteti dhe pushteti i politikanëve të papërgjegjshëm”, ka thënë Osmani, bëhet e ditur në komunikatën e LDK-së.

Osmani po ashtu, siç theksohet, ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës të dalin dhe të votojnë më 6 tetor për ndryshimin e gjendjes dhe perspektivën e Kosovës, duke u përcaktuar për alternativën qeverisëse të LDK-së./21Media