U mbajt ceremonia e përvitshme e "Golden Globe Awards"

U mbajt ceremonia e përvitshme e “Golden Globe Awards”

Të dielen pas mesnate, në Los Angeles u mbajt edicioni i 76-të i ceremonisë së përvitshme të “Golden Globe Awards”.

Filmi biografik, Bohemian Rhapsody dhe komedia, Green Book kanë fituar çmimet kryesore në edicionin e 76-të, në ceremoninë Golden Globes.

Bohemian Rhapsody rrëmbeu dy çmimet kryesore, atë për filmin më të mirë të zhanrit dramë dhe çmimin e aktorit më të mirë në zhanrin dramë, për yllin e këtij filmi, Rami Malek. Green Book ishte fituesi tjetër i natës, duke rrëmbyer tri çmime. Ky film rrëmbeu çmimin për komedinë apo muzikëlin më të mirë, çmimin për skenarin më të mirë dhe çmimin e aktorit mbështetës e mori Mahershala Ali.

Edhe pse ishte nominuar në katër kategori, filmi A Star Is Born mori vetëm një çmim – kënga më e mirë origjinale për hitin Shallow. Në këtë film luan edhe këngëtarja e njohur, Lady Gaga dhe kjo performancë e saj e drejtoi atë të nominohet në kategorinë si aktorja më e mirë.

Fitues të kësaj nate janë edhe Olivia Colman, që fitoi çmimin për aktoren më të mirë në zhanrin komedi ose muzikël, për portretizimin e Mbretëreshës Anna në filmin The Favourite. Christian Bale po ashtu rrëmbeu çmimin e aktorit më të mirë në po këtë zhanër, për rolin e tij në filmin Vice.

Aktorët britanikë, Richard Madden dhe Ben Whishaw fituan dy çmime televizive, për rolet e tyre në dramat e BBC, Bodyguard dhe A Very English Scandal.

Në anën tjetër në kategoritë televizive, seritë televizive The Americans morën çmimin e dramës më të mirë dhe The Kominsky Method e fitoi çmimin për komedinë më të mirë televizive.

Ceremonia e “The Golden Globes” është ceremonia e parë më e madhe e filmave të Hollywood-it dhe shpesh mund të ndihmojë filmat ose aktorët e filmave të futen në garë për Oskar.

Më poshtë ju sjellim disa nga fituesit e çmimeve kryesore të kësaj nate:

-Filmi më i mirë dramë – Bohemian Rhapsody

-Filmi më i mirë komedi apo muzikël – Green Book

-Aktori më i mirë në filmin dramë – Rami Malek (Bohemian Rhapsody)

-Aktorja më e mirë në filmin dramë – Glenn Close (The Wife)

-Aktori më i mirë në filmin komedi/muzikël – Christian Bale (Vice)

-Aktorja më e mirë në film komedi/muzikël – Olivia Colman (The Favourite)

-Drama më e mirë televizive – The Americans

-Komedia më e mirë televizive – The Kominsky Method

-Aktori më i mirë në dramë televizive – Richard Madden (Bodyguard) 

-Aktorja më e mirë në dramë televizive – Sandra Oh (Killing Eve)

-Aktori më i mirë në komedi televizive – Michael Douglas (The Kominsky Method)

-Aktorja më e mirë në komedi televizive – Rachel Brosnahan (The Marvellous Mrs Maisel)./21Media