"Nga Bosnja, Shqipëria, por edhe nga Serbia kam marrë vetëm mesazhe kërcënuese"

“Nga Bosnja, Shqipëria, por edhe nga Serbia kam marrë vetëm mesazhe kërcënuese”

Këngëtarja nga Izraeli Netta Barzilai, e cila fitoi Eurovisionin e vitit 2018 të zhvilluar në Portugali, ka folur për herë të parë në lidhje me mesazhet e shumta që ajo ka marrë pas finales së 12 majit.

Sipas Netës, në llogaritë e saj në rrjetet sociale kanë ardhur shumë mesazhe kërcënuese, kryesisht nga Ballkani.

Këngëtarja izraelite ka thënë se ka dëgjuar mjaft gjëra të mira për gadishullin ballkanik, ndërsa ka vijuar fjalën e saj duke thënë që ajo nuk është politikane dhe nuk ka pse të kërcënohet me vdekje për shkak të bëmave të shtetit të saj.

“Kam dëgjuar shumë gjëra të bukura rreth Ballkanit, vendeve dhe popujve, por unë nuk kam një përvojë të bukur. Dua të them që unë nuk jam një politikane, por përfaqësoj vendin tim në këngë dhe kjo është arsyeja pse unë jam bërë shënjestër e një shumëllojshmërie njerëzish të shqetësuar.”

“Nga Bosnja, Shqipëria, por edhe nga Serbia kam marrë vetëm mesazhe kërcënuese për ngjarjet e fundit në Izrael. Unë jam përpjekur të injoroj të gjitha mesazhet, por ajo që është më e tmerrshme është fakti që dikush flet në këtë mënyrë dhe ju kërcënon me vdekje vetëm për shkak se ju përfaqësoni vendin tuaj në festivalin e muzikës,”- ka thënë Netta.