"Trimëresha ime..."

“Trimëresha ime…”

Vasfije Krasniqi, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila ka folur hapur për këtë çështje i ka premtuar përkrahje Shyhrete Tahiri-Sylejmanit, e cila sot u bë gruaja e dytë që ka kërkuar hapur dënim për mizoritë që i janë shkaktuar. Duke e quajtur trimëreshë, Krasniqi-Goodmani ka kërkuar drejtësi për të gjithë.

“Drejtësi për të gjithë. E dashur Shyhrete do ta kesh përkrahjen time dhe familjes time deri ne fund! Trimëresha ime”, ka deklaruar ajo.

Ndryshe, nëna e tre fëmijëve, Shyhrete Tahiri – Sylejmani, e cila jeton në Kanada, e shoqëruar nga përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale në Prishtinë, duke kërkuar që më në fund të ndahet drejtësia.

Përmes dorëzimit publik të dosjes, Tahiri – Sylejmani ka deklaruar se synojnë të mobilizojnë edhe gratë e burrat tjerë që të kërkojnë drejtësi për krimet e bëra.

Në Kosovë besohet se gjatë luftës së vitit 1998-1999 kanë ndodhur rreth 20 mijë raste të abuzimit seksual, por që deri tani asnjë kryes i këtij krimi nuk ka marrë dënim nga gjykata dhe as nga Prokuroria Speciale në Kosovë. Dhe përveç hetimit të këtyre rasteve nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.

Në mars të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore në mënyrë që personave të tillë t’iu rregullohet statusi. Derisa që nga viti 2018 ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë./21Media