Sefaj kërkoi që intervistimi i tij të bëhet me dyer të mbyllura

Flamur Sefaj raporton para Komisionit pa praninë e mediave

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj filloi raportimin para anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar, lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova për në Turqi.

Sefaj kërkoi që intervistimi i tij të bëhet me dyer të mbyllura, me kërkesë të tij, pasi që ashtu siç tha ai bëhet fjalë për dokument konfidencial.

“Kërkoj falje që s’kam ardhur me kohë të raportojë, por isha me të vërtetë jashtë vendit dhe nuk kam mundur të vijë. E krejt diskursi i këtij muhabeti ka nisur prej një publikimi të një dokumenti konfidencial që ka qenë dhe kërkoj që mediat të mos jenë të pranishme, ju kërkoj falje për fjalë bëhet për diçka shumë të ndjeshme dhe konfidenciale”, tha Sefaj.

Në këtë mbledhje të komisionit është paraparë që të intervistohen familjarët e të deportuarve dhe presidenti Thaçi. Mirëpo, kreu i shtetit dje ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe në varrimin e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush.

Familjarët e të deportuarve do të intervistohen me fillim nga ora 13:00.

Gjashtë shtetasit turq, të njohur si gylenistë ishin dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti. Pas kësaj është shkarkuar Flamur Sefaj që mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme si dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi. Deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ndërkaq, para një jave Komisioni Parlamentar Hetimor lidhur me rastin e gjashtë gylenistëve të deportuar në mars të këtij viti ka intervistuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, ish-drejtorin e departamentit për aviacion civil, Ismail Berishën, Agjencinë e Shërbimeve të navigacionit ajror si dhe inspektorin e përgjithshëm të AKI-së, Shkelzen Sopjanin. Ministri Lekaj ka thënë se kompania turke keqpërdori lejen, pasiqë kërkuan fluturim privat dhe sipas tij, asnjë zyrtar as nga AKI-ja dhe as nga institucionet kosovare e ndërkombëtare turke nuk janë kontaktuar.

Para pak ditësh, para Komisionit doli edhe kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili tha se informatën për dëbimin e gjashtë shtetasve turq e mori orës 11:00 dhe 12:00, ndërsa aeroplani me shtetasit turq ishte larguar nga Aeroporti i Prishtinës para orës 11:00. Madje, ai pranoi se këtë informatë ia dha një diplomat i huaj./21Media

Back to top button