Flamuri ukrainas tashmë është në Lyman, thotë Zelensky

Në fjalimin e tij të natës të shtunën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, konfirmoi tërheqjen e forcave ruse nga qyteti strategjik i Donetskut, Lyman .

“Flamuri ukrainas është tashmë në Lyman, rajoni Donetsk. Luftimet vazhdojnë ende atje. Por nuk ka asnjë gjurmë të ndonjë ‘pseudo-referendumi’ atje,” tha Zelensky.

Zelensky gjithashtu theksoi se “edhe më shumë zëra në botë janë bashkuar në dënimin e pseudo-referendumeve dhe përpjekjes së Rusisë për të aneksuar territorin e Ukrainës”, transmeton rtv21.tv

Presidenti vuri në dukje një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.

Zelensky tha se ai pa mëdyshje ishte dakord me Guterresin se “Rusia shkel qëllimet dhe parimet e OKB-së, Kartën e OKB-së dhe se “pseudo-referendumet” dhe tentativa për aneksim nuk do të kenë asnjë forcë ligjore. 

“Bota nuk do të lejojë që kohët e pushtimeve koloniale, aneksimeve kriminale dhe arbitraritetit total të kthehen në vend të ligjit ndërkombëtar”, përfundoi Zelensky./21Media

Back to top button