Krasniqi: Rasti i montuar ndaj nesh do të mbetet në histori si turpi i sistemit të drejtësisë

Krasniqi: Rasti i montuar ndaj nesh do të mbetet në histori si turpi i sistemit të drejtësisë

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka ndërprerë sot masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit dhe Egzon Halitit dhe të njëjtit do të mbrohen në liri.

Këta të tre, se bashku më të akuzuarën Adea Batushën po akuzohen nga ana e Prokurorisë Speciale për veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” .

Kurse për të akuzuarin, Frashër Krasniqi ky rast është i montuar dhe po ashtu Krasniqi rastin e tyre e ka quajtur si turpi i sistemit të drejtësisë në vend.

Krasniqi ka folur edhe për gjyqtarin Beqir Kalludra i cili i kishte gjykuar aktivistët e VV-së.

“Gjykata e Apelit na liroi nga burgu ku po vuanim dënimin për një vepër që nuk e kishim kryer.
Çka do të thotë sot dhe nesër Beqir Kalludra dhe Klani Pronto që e porositen të na dënojnë?
Çka do t’i thonë familjes Dehari që ua kthyen djalin në arkivol?
Çka do t’i thonë nesër Arsës së vogël kur ajo të pyet për babain e saj?
Çka do t’ju thonë nënave tona që për 3 muaj vuajtën duke pritur djemt e tyre pa shpresën që do t’i shohin me vite të tëra?
Çka do t’iu thonë qytetarëve të Kosovës që ua kanë humbur cdo shpresë që mund të ketë drejtësi në këtë vend?”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Po ashtu deputeti i VV-së ka thënë se rasti i montuar ndaj tyre do të mbetet në histori si turpi i sistemit të drejtësisë në këtë vend.

“E ata që e mbuluan vendin tonë me turp, shumë shpejt do të ndjeken nga drejtësia dhe do të përfundojnë prapa grilave.#DrejtësiperAstritin”, thuhet në postimin e tij.

Ndryshe në nëntor të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë dha verdiktet për katër të dyshuarit për këtë rast. Atdhe Arifi, 25 vjeçar, u dënua me 6 vjet burg; deputeti Frashër Krasniqi, 29 vjeçar, u dënua me 8 vjet burg; Egzon Haliti, 24 vjeçar, u dënua me 5 vjet e gjysmë burg si dhe Adea Batusha, 21 vjeçare, u dënua me 2 vjet burg.

Këta të katër akuzoheshin se më 4 gusht të vitit të 2016 në bashkëkryerje kishin sulmuar Kuvendin e Kosovës, andaj mbi ta vihej në barrë vepra penale terrorizmit, vepër kjo e paraparë në nenin 136 të Kodit Penal të Kosovës, ndërsa në këtë rast e kualifikuar sipas paragrafit 1 të këtij neni, e dënueshme me jo më pak se 5 vjet burg./21Media