Veremulen tha se një kompensim më i drejtë do të ishte duke u bazuar në pagat e mësuesve në atë kohë

Veremulen tha se një kompensim më i drejtë do të ishte duke u bazuar në pagat e mësuesve në atë kohë

Projektligji për Statusin e Punëtorëve të Arsimit të Viteve të 90-ta nuk po shihet si mënyra më e mirë e kompensimit të mësimdhënësve për punën e bërë në atë kohë në Kosovë.

Përveç kësaj, sipas Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN), ky Projektligj nëse hyn në fuqi mund të ketë kosto shumë të madhe për buxhetin që komprometon edhe investimet në të ardhmen e arsimit.

“….Ne do të këshillonim fuqimisht që të mos ecim përpara me këtë projektligj në formën e tij aktuale”, tha përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Ruud Vermulen.

Vermulen tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kontributi i mësuesve në atë kohë është shumë i çmuar.

Megjithatë, benefitet e parashikuara me këtë ligj, sipas tij, janë të tepruara nëse merren parasysh kapacitetet buxhetore.

“Megjithatë, shumë mësues e bënë këtë në baza vullnetare dhe u kompensuan nga një fond unik për kontributin vullnetar, ku shumë prej tyre refuzuan fillimisht që të paguheshin fare. Për më tepër, përfitimet e pensioneve të parashikuara janë shumë bujare duke pasur parasysh nivelin e pagave në vitet 1990 dhe nivelet e pensioneve në Kosovë sot”, tha Vermulen.

“…Për shembull, një mësues që punonte në sistemin paralel vetëm për një vit do të fitojë të drejtën e një pensioni të përhershëm mujor prej më shumë se 260 euro, i cili është 3.5 herë më i lartë se penzioni bazë dhe 50 përqind më i lartë se pensioni mesatar kontribuues (pensionistë me më shumë se 15 vjet përvojë pune para vitit 1999)”, shtoi ai.

Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë, po ashtu konsideron se kostoja e vërtetë buxhetore e këtij ligji nuk do të jetë e vërejtshme që në fillim.

“…Teksa shumë mësues dalin në pension, shpenzimet do të rriten dhe lehtë mund të tejkalojnë 1 përqind të GDP-së në vit. Në atë pikë, kostoja fiskale vjetore do të ishte më shumë se 10 herë më e lartë se ajo që është paraqitur publikisht. Dhe duke pasur parasysh kufizimet e të ardhurave, kjo do të vijë me koston e shpenzimeve shumë të nevojshme për të përmirësuar rezultatet e arsimit – e cila duhet të jetë një prioritet më i lartë politik – për të adresuar mungesat e aftësive në tregun e punës dhe për të zvogëluar papunësinë, kujdesin shëndetësor dhe infrastrukturën”, tha ai.

Veremulen tha se një kompensim më i drejtë do të ishte duke u bazuar në pagat e mësuesve në atë kohë dhe me shpërndarjen e shpenzimeve me këste.

“Sipas pikëpamjes sonë, ligji duhet ridizajnuar për të bërë trajtim të drejtë tëmësuesve dhe tatimpaguesve, duke siguruar një kompensim të arsyeshëm dhe afatgjatë që Kosova mund të përballojë. Sistemi i pensioneve të pleqërisë nuk është instrumenti i duhur për të kompensuar këta punëtorë të arsimit. Në vend që të sigurohej një pension jetësor, kompensimi mund të bazohej në pagat e mësuesve në atë kohë, të përshtatura për shkathtësitë dhe kompensimin e marrë, dhe të paguhej me këste për të shpërndarë shpenzimet për disa buxhete”, tha Veremulen.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ishin insistuesit më të mëdhenj për kalimin e këtij ligji që si ide nisi në vitin 2013.

Të mërkurën, Qeveria e Kosovës nën kërcënimin e grevës së mësimdhënësve, kaloi Projektligjin për Punëtorët e Arsimit në Vitet e 90-ta.

Sipas këtij Projektligji, përfitues të këtij statusi të veçantë janë mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesionalë, drejtori dhe zv.drejtori i shkollës, personeli administrativ, personeli teknik i shkollave, të punësuarit në arsimin e lartë sipas sistemit të arsimit shqip, institucionet, organet dhe institutet e tjera që kanë qenë pjesë e arsimit të kësaj periudhe.

Pensionet e parapara rangojnë nga 50 përqind deri në 70 përqind të rrogës bazë të mësimdhënësve për ata që punuan në sistemin paralel deri në pesë dhe përkatësisht 10 vjet./kallxo.com