FOL: Qeveria realizoi vetëm 64% të planit vjetor

Vetëm një ministri ka realizuar 100 përqind planin vjetor

Lëvizja FOL ka publikuar gjetjet e monitorimit të planit vjetor të punës së Qeverisë për vitin që lamë pas, ku del se ka pasur nivel të ulët të realizimit të këtij plani.

Mexhide Demolli-Nimani nga FOL, gjatë një konference për media, ka thënë se sipas rezultateve qeveria ka arritur një përqindje të ultë të realizimit të planit vjetor për vitin që lamë pas.

“FOL ka bërë monitorimin e planit vjetor të 21 ministrive dhe zyrës së kryeministrit, të cilët në bazë të realizimit të planit tregojnë se ka pasur nivel të ulët të realizimit të cilin e kishin paraparë që të përfundonte në fund të vitit 2018. Nga ky monitorim del se 921 aktivitete të parapara në planin vjetor të punës së qeverisë, vetëm 594 apo shprehur në përqindje rreth 64 përqind janë realizuar, ndërkaq, 237 aktivitete apo 26 përqind kanë mbetur të pa përfunduara sipas afatit të përcaktuar kohor”, tha ajo.

Ajo ka paraqitur realizimin e planit vjetor për të gjitha ministritë veç e veç, duke thënë se një pjesë të aktiviteteve i kanë bartur për këtë vit.

“Zyra e kryeministrit në kuadër të 11 objektivave të parapara ka pas 170 aktivitete në kuadër të planit vjetor, nga të cilat 75 janë realizuar, ndërkaq 34 kanë mbetur të pa realizuara që shprehur në përqindje del se ka realizuar vetëm 53 përqind të planit vjetor të punës”, tha ajo.

Sipas saj, ministria e vetme që ka realizuar 100 përqind planin vjetor është Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Back to top button