Fondacion në New York për nënat dhe fëmijët e Kosovës

​Fondacioni “AMC” me mbrëmje bamirësie

​Fondacioni “Action for Mothers and Children” ka mbajtur mbrëmjen e saj të pestë bamirësie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë mbrëmjes së 10 tetorit shumë njerëz dhanë kontributin e tyre duke dhuruar fonde, me të cilat pastaj gjatë vitit 2020 do të sigurohen medikamente esenciale për shpëtimin e jetës për bebet e lindura para kohës, për t’u siguruar grave vitaminën prenatale, antibiotikë dhe medikamente të tjera.

Fondacioni “Action for Mothers and Children” ka bërë të ditur se në mbrëmjen e bamirësisë të organizuar në Yale Club në New York, kanë ndarë çmimin “Ambasador për shëndetin e Nënave dhe fëmijëve”, përfitues i së cilit është fotografi Fadil Berisha, çmim i cili iu dha për kontributin për nënat dhe fëmijët në Kosovë.

“Fondet e ngritura nga shitjet e biletave dhe nga donacionet e mbledhura gjatë kësaj mbrëmje filantropie AMC përgjatë 2020, do të vazhdoj të: siguroj medikamente esenciale për shpëtimin e jetës për bebet e lindura parakohe; të siguroj grave Vitamina Prenatale, antibiotikë dhe kontraceptivë; të edukoj prindërit për planifikimin e familjes, shtatzëninë e hershme, lindjen dhe periudhën e pas lindjes; dhe të ndihmoj gratë të diagnostikojnë kancerin e qafës së mitrës përmes testimit falas me Pap-test”, thuhet në njoftimin e fondacionit.

Pjesë e organizimit të ngjarjes ishte edhe një ankand i cili përfshinte kreacion nga Besë Rugova dhe Drenusha Xharra, bizhuteri nga Sara Shala, pjata graniti të punuara nga ‘Dhe by Granita’, një foto sesion nga Fadil Berisha dhe një tjetër nga Fioralba Kryemadhi, dy darka në restoranin ‘Çka ka Qëllu’, shërbime të formësimit të vetullave nga Sanija Eyebrows dhe një pikturë me profilin e Nënës Tereze nga Anduena.

Organizimin e ka mbështetur edhe Konsullata e Kosovës në New York.

Folëse e mbrëmjes ishte sopranoja operistike Inva Mula, ndërkohë mysafire nderi ishte ambasadorja e Kosovës Vlora Çitaku.

Back to top button