Sipas Ahmetit, Francës ia kemi dëshmu miqësinë dhe solidaritetin

Sipas Ahmetit, Francës ia kemi dëshmu miqësinë dhe solidaritetin

Deklarata e sotme e kryeministrit Ramush Haradinaj se Qeveria e Kosovës do të ndajë mjete financiare për katedralen Notre Dame ka nxitur reagimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti , i cili njëherësh është kryetar i PSD-së.

Sipas Ahmeti, Fondet, të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë t’i ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës paska ndarë mjete për Katedralen e Notre Dame. Përderisa kjo tragjedi ka prekur gjithë botën e edhe Kosovën, po ashtu ka ngjallur edhe solidaritet gjithandej. Duke parë lajmet botërore shihet që paratë nuk do të jenë problemi i riparimit të katedrales, e cila me shpresë do të renovohet shpejtë.

Fondet të cilat qeveria i ka ndarë do të ishte mirë ti ridestinojë për strehim dhe renovim të shtëpive të disa rasteve të rënda sociale. Së fundmi kemi pas disa djegie të shtëpive në disa komuna si pasojë e fatkeqësive dhe familjet nuk kanë mundësi me i riparu. Për komunë të Prishtinës mund të ofrojmë informata”, ka shkruar Ahmeti në facebook.

Sipas Ahmetit, Francës ia kemi dëshmu miqësinë dhe solidaritetin dhe besoj se e dijnë që e kemi sinqerisht dhembjen dhe kjo nuk përmirësohet me para. Por,  sipas Ahmetit, qytetarit tonë shteti ka nevojë të ja tregojë edhe solidaritetin edhe përkujdesjen.

Ndryshe, katedralja Notre Dame ishte përfshirë të hënën nga një zjarr i madh që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Ndërkohë, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dje është zotuar se do ta rindërtojë katedralen mesjetare, Notre-Dame pasi një zjarr i madh shkatërroi pjesërisht simbolin e Parisit./21Media