Fondi i Grave të Kosovës ndan 40 mijë euro për 14 organizata

Rrjeti i grave të Kosovës ka nënshkruar kontratat me përfitues të granteve

Ku janë ndarë 12 grante për organizata, me shumë të përgjithshme 47,992 euro. Këto grante janë mundësuar me përkrahjen e Agjencionit Austriak për Zhvillim.

Drejtoresha ekzekutive e RrGK, Igballe Rogova është shprehur e lumtur që kanë arritur të ndajnë këto grante për 14 organizata, duke shtuar se një gjë të tillë janë duke e praktikuar që nga viti 2012.

“Në vitin 2012 ne e filluam fondin e grave të Kosovës për të ndihmuar këto organizata dhe natyrisht synimi kryesor ka qenë që të vazhdojnë punën e tyre dhe që së bashku të implementojmë strategjinë që e kemi përpiluar bashkë, do të thotë strategjia e re përpilohet me anëtaret dhe zbatohet anëtaret. Që nga viti 2012 ne i kemi dhënë 144 grante, që përfshijnë shumën 500 mijë euro. Sot kemi raundin e fundit për këtë vit që na ka përkrah ADA dhe ky grant  është me shumën 48 mijë euro dhe kanë fitu 12 grante, përndryshe kanë qenë 14 organizata”, u shpreh Rogova.

Ajo ka falënderuar ADA-në për bashkëpunimin dhe përkrahjen që ju kanë dhënë që nga viti 2012.

Këshilltari i sektorit privat, agjencia austriake  për zhvillim, Arsim Aziri, u shpreh se me këto grante është rritur vetëdijesimi i donatorëve tjerë që të  kontribuojnë në këtë fond.

“Ne vetëm jo me këtë projekt, por për fuqizimin e gruas në jetën e përditshme si në ekonomi, në edukim, në të gjitha projektet të cilat ne i përkrahim tentojmë aq sa mundemi që të përfshihet në çdo aktivitet , balanca gjinore të jetë e respektuar, do të thotë edhe në projektet në zhvillimin ekonomik, ku e kemi si prioritet ose si sektor me rëndësi në përkrahjen e agjencisë austriake në Kosovë edhe aty shohim që në përfitimet e granteve në bujqësi edhe në përfitimin e ndërmarrjeve që bizneset të cilat udhëhiqen nga gratë të marrin vëmendje të veçantë dhe të përkrahen”, tha Aziri.

Veprore Shehu nga “Medica Kosova”, tha se projekti i tyre synon një përmirësim të qasjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë gjatë procesit të verifikimit të statusit të tyre.

“Përmes kësaj adreson trajnimin dhe përgatitjen e akterëve tjerë që janë të përfshirë në mënyrë jo direkte në përkrahjen e procesit të aplikimit për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, është një projekt që adreson përmes një qasje pak më të mirë dhe më të orientuar ka njohuritë mbi traumën dhe përmes këtij projekti do të trajnojmë edhe disa akterë nga zyrat e departamentit të familjarëve dhe dëshmorëve ku ju  shkojnë dokumentet drejtpërdrejtë nga ana e këtyre grave”, tha Shehu.

Resmie Rrahmani nga organizata e personave me distrofi muskolare e Kosovës është shprehur falënderuese për këto grante duke shtuar se janë një ndihmë e madhe për to.

Ndërsa, Sanie Grajqevci nga shoqata e grave “Aureola” tha se projekti synon  avancimin e ligjit të trashëgimisë.

Back to top button