Fondi për zhvillim saudit do të financojë edhe 5 km të rrugës Prishtinë-Mitrovicë

Al-Shoaibi ka njoftuar se është aprovuar kërkesa për financimin edhe të pesë kilometrave të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, u takua me përfaqësuesit e Fondit për Zhvillim të Arabisë Saudite, në krye me Abdullah Al-Shoaibi, menaxher rajonal, me të cilin ka biseduar për projektin, i cili financohet nga ana e këtij fondi, për zgjerimin e rrugës nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë.

Lekaj ka falënderuar palën saudite për mbështetjen e deritanishme, ndërsa ka shfaqur keqardhje për stërzgjatjen e realizimit të këtij projekti.

“Por, ne ju premtojmë që pas përzgjedhjes së kompanisë që do të realizojë këtë projekt, nuk do të ketë më pengesa dhe ju premtojmë që do të kemi një partneritet të ngushtë bashkëpunimi në mes nesh,” tha ai.

Ndërsa Al-Shoaibi ka njoftuar ministrin Lekaj se është aprovuar kërkesa për financimin edhe të pesë kilometrave të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.

“Ne ju falënderojmë për bashkëpunimin e shkëlqyer që deri tash ka pasur ministria juaj me ne lidhur me këtë projekt. Shpresojmë që edhe më tutje të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë bashkëpunim me projekte tjera të përbashkëta,” tha ai.

Back to top button