Formimi i qeverisë, Mustafa nesër takohet me të dërguarin e Merkel

Mustafa do të takohet me Bayer nesër paradite

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa nuk pret që bisedimet për arritjen e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen të zgjasin gjashtë muaj sikurse në vitin 2014, por paralajmëroi se në rast të dështimit të marrëveshjes, atëherë si parti do të shkojnë në opozitë.

Ai këto komente i bëri pas takimit të Këshillit të përgjithshëm të LDK-së, ku është biseduar lidhur me ecurinë e bisedimeve për formimin e qeverisë së re, të cilat janë vënë në ngërç për shkak mos pajtimeve për postin e presidentit.

I pyetur se a ka presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes, kryetari Mustafa tha se nuk është takuar me ambasadorin amerikan Philip Kosnett, por me ambasadorët e QUINT-it nga të cilët ka kërkuar ndihmën e tyre në procesin e arritjes së marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës.

Ai tha nesër do të takohet me të dërguarin e Merkel nga CDU për të biseduar lidhur me negociatat për arritjen e koalicionit qeverisës.

“Personalisht nuk e kam takuar ambasadorin Kosnett, por jam takuar me ambasadorë të QUINT-it, të cilët i kam njoftuar për procesin e bisedimeve dhe kam kërkuar që edhe ata të na ndikojnë në këtë proces. Nuk ka pasur kërkesa eksplicite të ambasadorëve, por ka pasur shpresë të vullnetit të mirë që edhe kjo të kryhet sa më shpejtë, ndërsa nesër, po, do të takohem me Peter Bayer, i cili do të jetë këtu në orët e hershme të ditës”, tha Mustafa.

Lidhur me atë nëse problemi qëndron te posti i presidentit, Mustafa tha se në vitin 2014 ishte formuar koalicioni i atëhershëm pas gjashtë muajsh, por tash pret që kjo të kryhet më herët edhe pse nuk ka një gatishmëri e VV-së që postin e presidentit ta ketë LDK-ja.

Back to top button