Formohet qendra për përballje me kërcënimet hibride

Me iniciativën e disa shteteve anëtare të BE-së dhe NATO-s

Një grup i shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s kanë arritur pajtimin për krijimin e Qendrës Evropiane për kërcënime hibride, detyrë e së cilës do të jetë lufta kundër formave jo-konvencionale të luftës, siç janë dezinformatat dhe lajmet e rrejshme, shkruan rtv21.tv

Memorandumi për formimin e kësaj qendre, selia e së cilës do të vendoset në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, u nënshkrua nga nëntë shtete, më saktë nga Britania, Finlanda, Franca, Gjermania, Letonia, Lituania, Polonia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shefi për gatishmëri civile i njësive të NATO-s, Lorenc Majneman, tha se Qendra Evropiane për luftë kundër kërcënimeve hibride do të shërbej si platformë për grumbullimin e mjeteve dhe shkëmbimin e ekspertizës së Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Siç u theksua, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë premtuar se duke filluar nga korriku do të forcojnë bashkëpunimin me qëllim të mbrojtjes nga sulmet kibernetike dhe për të reaguar ndaj kërcënimeve hibride./21Media

Back to top button