Në Kuvend u formua trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim

Në Kuvend u formua trupi ndërpartiak parlamentar për pajtim

Pjesë e këtij trupi do të jenë: nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare, si dhe deputetët që nuk janë në grup parlamentar. Me këtë trup do të udhëheq, nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski dhe Emilija Aleksandrova nga grupi i pavarur parlamentar i VMRO-DPMNE-së. Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski nuk mori pjesë në takimin e sotëm. Se për çka do të shërbejë ky trup për pajtim në Kuvend, as vetë kryeparlamentari nuk e di.

“Nuk mund t’iu them për thelbin e këtij trupi. Ideatori është grupi i pavarur i VMRO-DPMNE-së. Me gjasa, në seancën e ardhshme ku do të bisedohet për qëllimin e formimit të trupit do ta tregojnë edhe idenë për formimin. Atje do të jetë më adekuate. Unë nuk mund të flas në mënyrë hipotetike se cila ka qenë ideja. Sipas meje ideja është pajtimi, por tash ata duhet të ulen dhe të bisedojnë që gjërat që kanë ndodhur të mos përsëriten më”, tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit të RM-së.

Ndryshe, formimi i këtij trupi për pajtim ishte një nga kërkesat e 8 deputetëve të përjashtuar nga VMRO-DPMNE pasi votuan për ndryshimet kushtetuese. Emilija Aleksandrova tha se me hollësira rreth punës së këtij trupi do të dalin pas mbledhjes së parë.

Me këtë ide nuk u pajtua deputeti i Aleancës për Shqiptar Syrija Rashidi, i cili braktisi mbledhjen para kohe. Deputeti i Aleancës për shqiptarët tha se bëhet fjalë për politika ditore, në periudhën kur priten ndryshimet kushtetuese, andaj ka dalë nga salla.

“Që në fillim kërkova sqarime. Cilët janë qëllimet e formimit të këtij grupi, bazamenti i pajtimit, kush me kë do të pajtohet dhe në fund cila do të jetë , efektet pozitive nga ky pajtimit. Për fat të keq unë nuk mora përgjigje nga iniciatorët në këtë drejtim dhe fitohet përshtypja se bëhet fjalë për një nevojë të politikës ditore të Qeverisë aktuale. Por, edhe më e keqja, mundësia e hapjes të një dere të vogël përmes së cilës do të shtyhet përpara procesi i amnistisë”, u shpreh Syrija Rashidi, Deputet i ASH-së.

Trupin parlamentar për pajtim e ka paralajmëruar kryeministri Zoran Zaev, sipas së cilit, do të duhet të gjendet mënyrë për pajtim nacional./TV21