Aktor, regjisor, politikan...

Aktor, regjisor, politikan…

Ai është ndër personalitetet më të njohura dhe të dashura për publikun anë e mbanë trojeve shqiptare. Me rolet dhe humorin e veçantë ai ka fituar zemrën e publikut kudo ku ka luajtur. Fjala është për aktorin e mirënjohur kosovar, Adem Mikullovcin, i cili është ndër artistët më të pëlqyer ndër breza.

Gjatë karrierës së tij si aktor, Mikullovci ka luajtur në dhjetra role të ndryshme, të cilat kanë pasur tematika të kohës kur janë luajtur. Në secilin rol, Ademi është mbajtur mend për stilin e veçantë të veshjes e po ashtu edhe të humorit, i cili ka argëtuar publikun shqiptar, shkruan rtv21.tv

Në disa imazhe të publikuara në internet, të cilat janë bërë dekada më parë, Ademi shihet se nuk ka pësuar ndryshime të mëdha sa i përket tipareve të fytyrës.

Adem Mikullovci është lindur në vitin 1939 në Vushtrri dhe bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës (tashmë Teatrit Kombëtar i Kosovës). Prej atij viti (1968) e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci ka bërë karrierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.

Rolet më të dalluara Mikullovci i ka realizuar në shfaqjet: “Duke pritur Godonë”,”Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja” etj.

Mikullovci gjithashtu ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si: “Pas vdekjës”(Çajupi), “Mosha e bardhë”(D.Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit”(dramatizim i veprës së autorit Q.Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stend up komedia “Përgjuesi” etj.

Mikullovci po ashtu njihet edhe për rolet humoristike në: “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët”, “Mahalla Jonë”, “Kafeneja Jonë” etj, etj, shkruan rtv21.tv

Në vitin 1990 ka qenë në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë shpallur Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut. Ndërsa, në vitin 2017, zgjedhjet e 11 Qershorit, Adem Mikullovci është zgjedhur si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje./21Media