Hoti tha se Qeveria nuk e ka gjatë nëse nuk e zbaton marrëveshjen e Washingtonit

 
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot i tha se Qeverisë Kurti që të kujdeset për realizimin e projekteve që dalin nga Marrëveshja e Washingtonit, sepse ndryshe nuk do të qëndrojë gjatë në qeveri. Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës do të kërkojë debat parlamentar për angazhimet e Qeverisë së Kosovës rreth Marrëveshjes së Washingtonit.
Deputeti Avdullah Hoti në seancën e sotme tha se deri tani ekzekutivi nuk ka bërë publik asnjë veprim që lidhet me marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
“Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim, së paku asnjë hap që është bërë publik. Asgjë nuk është bërë në çuarjen përpara të kësaj marrëveshje, asnjë veprim konkret prej se është përmbyllë njohja nga Izraeli në fillim të shkurtit, të cilën njohje nuk e besonin se do të formalizohet siç ndodhi me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Këta që janë tani në qeveri i ftoj që të kujdesen për realizimin e projekteve të kësaj marrëveshje, u garantoj që ndryshe nuk do ta kenë gjatë në qeveri siç nuk e kanë pasur gjatë as vitin e kaluar”, tha ai.
Avdullah Hoti që si kryeministër i Kosovës hyri në Shtëpinë e Bardhë dhe u zotua për marrëveshje, tha se Lëvizja Vetëvendosje si opozitë kishte deklaruar se Marrëveshja e Uashingtonit cenon sovranitetin e Kosovës.
Sipas tij, tani që janë në pushtet duhet të deklarohet rreth kësaj.
“Dje Qeveria ka pranuar studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit të përgatitur nga departamenti amerikan që është përgjegjës për energji. Ka qenë absurd atëherë të deklarohet se kjo marrëveshje e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë cenon sovranitetin e Kosovës. Tash këtë studim e kanë në dorë dhe unë pres deklarim të qartë të qeverisë lidhur me këtë pyetje: A e cenon sovranitetin e Kosovës studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i përgatitur nga mbrojtësi më i madh i sovranitetit të Kosovës. E udhës do të ishte kërkohej falje, u pata thënë atëherë mos të nguten, edhe sot u them të mos nguten sepse koha po i nxjerr çdo ditë të gjitha të vërteta, edhe të gjitha mashtrimet sigurisht”, tha Hoti.

Back to top button