Lumezi ka kërkuar nga prokurorët rritje të efikasitetit në luftën kundër korrupsionit

Lumezi ka kërkuar nga prokurorët rritje të efikasitetit në luftën kundër korrupsionit

Gjatë një takimi me ambasadorin e Francës në Prishtinë, Didier Chabert, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se prokurorët e Shtetit janë të vendosur dhe të gatshëm që të kontribuojnë në forcimin e sundimit të ligjit dhe të përballen me sfidat që i ka sistemi prokuroria.

Kreu i Prokurorit të Shtetit, potencoi se është i përkushtuar në rritjen e efikasitetit në gjithë sistemin prokurorial, në luftën efikase kundër krimit të organizuar, korrupsionit, si dhe veprave tjera penale, duke shtuar se sfidë kryesore mbetet luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, krimeve ekonomike, terrorizmit dhe krimeve të luftës.

Lumezi theksoi se ka kërkuar nga prokurorët rritje të efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, si dhe rritje të efikasitetit në lëndët e shënjestruara për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Ndërkaq, ambasadori Chabert, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për ta ndihmuar sistemin prokurorial të Kosovës, me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtij sistemi.

Konkretisht ambasadori ofroi ndihmë nga Ambasada e Francës në Prishtinë në ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve, duke i trajnuar ata në fusha të ndryshme.

Kryeprokurori duke vlerësuar lart mbështetjen e shtetit francez për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial falënderoi ambasadorin për mbështetjen  që po i jep vendi i tij sistemit prokurorial të Kosovës dhe theksoi vendosmërinë e tij për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit, duke dhënë rezultate në zbulimin dhe hetimin e veprave penale./21Media