Fazliu dje mori çmimin kadeti më i mirë ndërkombëtarë në Cranwell

Fazliu dje mori çmimin kadeti më i mirë ndërkombëtarë në Cranwell

Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nëntogeri Behar Fazliu, pas një trajnimi gjashtë mujor në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore në Cranwell të Mbretërisë së Bashkuar u nderua me çmimin “Kadeti më i mirë ndërkombëtarë”.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e diplomimit të oficerit të Forcës së Sigurisë të Kosovës mori pjesë ambasadori fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Lirim Greiçevci.

E në lidhje me çmimin e fituar nga Fazliu, FSK është shprehur e lumtur duke thënë se ky çmim dhe çmimet tjera janë dëshmi se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të duhur sa i përket ngritjes profesionale.

“Çmimi Kadeti më i mirë ndërkombëtarë për nëntoger Behar Fazliun, por edhe çmimet tjera të mëparshme janë dëshmi se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugë të duhur sa i përket ngritjes profesionale të pjesëtarëve të saj, dhe se ky kualitet profesional është duke u dëshmuar edhe jashtë vendit si në; shkollime, trajnime, operacione, por edhe në akademitë më prestigjioze”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Nëntogeri Behar Fazliu, pas kthimit nga Mbretëria e Bashkuar, do të vazhdojë shërbimin në Batalionin e Dytë të Brigadës për Reagim të Shpejtë (BRSH) ku është i sistemuar për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin dhe profesionalizimin e batalionit, por edhe të FSK-së në përgjithësi.

E lumtur me suksesin e Fazliut është shprehur edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë ku kanë theksuar se Mbretëria e Bashkuar është krenare për mbështetjen dhe trajnimin e oficerëve të FSK deri tani./21Media

Shqiptari fiton çmimin “Kadeti më i mirë ndërkombëtarë”