FSK-ja në “Ushtrime dimërore” në Turqi

Qëllimi i këtij ushtrimi është testimi i kapaciteteve luftarake në kushte të dimrit

Në qytetin Kars të Turqisë, ka filluar ushtrimi fushor ndërkombëtar  “Ushtrimi dimëror 19”. Pjesëmarrës në këtë ushtrim janë përfaqësuesit e 13-të shteteve.

Qëllimi kryesor i këtij ushtirmi është testimi i kapaciteteve luftarake në kushte të dimrit (borë me trashësi deri 50 cm dhe temperatura deri -20 gradë celsius), si dhe forcimin e ndërveprushmërisë në ambiente të përbashkëta operacionale.

“FSK-ja po merr pjesë me një kontingjent prej shtatë pjesëtarëve të rangut; oficerë dhe nënoficerë-stafi. Kontingjenti i FSK-së, ka zbarkuar me datën; 06 shkurt 2019, dhe i është bashkuar Brigadës së 14-të të Mekanizuar të Ushtrisë Turke, në detyra të ndryshme, si oficerë/nënoficerë stafi, etj”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Komandanti i Kontingjentit të FSK-së, majori, Albert Kuqi deklaroi se të gjithë oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, janë në nivel të detyrës duke treguar profesionalizëm gjatë realizimit të këtij ushtrimi të përbashkët operacional.

“Qëllimi i pjesëmarrjes së FSK-së, është që pjesëtarët tanë të trajnohen dhe zhvillojnë shkathtësitë e planifikimit dhe ekzekutimit të ushtrimeve, ku përfshinë; qitje reale nga armët e kombinuara të kalibrave të ndryshme në një operacion konvencional ushtarak, si dhe këto përvoja t’i aplikojmë në vendin tonë në kushte dhe ambiente të ngjashme“, shtoi major Kuqi.

“Ushtrimi dimëror 19“ do të përfundojë më 22 shkurt 2019.

Kujtojmë se, Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor 2018 ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministrinë e Mbrojtes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shndërrimin e FKS-së në Ushtri./21Media

Back to top button