FSK nga viti 2021 pjesë e misioneve paqeruajtëse në botë

Rama: FSK ka nevojë për më shumë buxhet në të ardhmen

Forca e Sigurisë së Kosovës është në proces të planifikimit që në vitin 2021, me një numër simbolik të pjesëtareve të marr pjesë në misione paqeruajtëse në botë.

Tashmë ka marrë konfirmim dhe kontributin e saj në misione paqeruajtëse do ta bëjë përkrah Gardës Nacionale të Iowa-s. FSK në vitin që lëmë pas, ka shënuar vitin e parë me mandat ushtarak. Tani është më e avancuar, shumë më e pajisur dhe profesionale, veçse i duhet buxhet më i madh për shkak të rritjes së kapaciteteve.

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, i cili vazhdimisht ka deklaruar se Forca është e përgatitur dhe e gatshme për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse, në një intervistë për KosovaPress, konfirmon se këtë do të bëjnë bashkërisht me Gardën Nacionale të Iowa-s, fillimisht me një numër simbolik të pjesëtarëve të FSK-së.

Ne jemi në proces dhe kemi marrë konfirmimin, jemi në proces të planifikimit dhe në 2021, ne do të jemi pjesë e misioneve paqeruajtëse bashkërisht me Gardën Nacionale të Ajovës (Iowa). Jemi në fazën planifikuese, duhet të marrim një numër simbolik, por në të njëjtën kohë është shumë domethënëse për ne. Në një farë forme hapen ato dyer dhe mundësi që ne sikur të gjitha vendet demokratike, por të njëjtën kohë sikur në të gjitha vendet e ushtritë moderne, që të jemi pjesë e tyre. Hapet në një farë forme një mundësi e mirë që ne të shpaguajmë atë që në moment të vështira populli ynë ka qenë, që të shpaguajmë dhe të japim kontributin tonë për misione paqeruajtëse, bashkërisht me Gardën Nacionale të Ajovës”, thotë Rama.

Komandanti i FSK-së, thotë se vitin e parë të tranzicionit e kanë tejkaluar pritshmërinë, duke theksuar se viti 2019, më shumë ka qenë me çështje administrative, siç janë ndryshimet e rregulloreve dhe procedurave të standardeve operative.

Gjatë vitit të parë të tranzicionit, bazuar në plan, është arritur të bëhet tranzicioni i Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtimi i Shtabit të Përgjithshëm dhe krijimi i Gardës Kombëtare si njësi e re, të cilës i është ndërtuar shtabi.

Tani FSK po punon intensivisht në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes për shkak të ndërtimit të kapaciteteve të reja trajnuese, bazuar në mision dhe mandate të ri.

Komandanti i FSK-së, thotë se për arsye të ngritjes së kapaciteteve, në të ardhmen do të ketë nevojë për më shumë buxhet.

Normalisht që për buxhet ka nevojë, ka nevojë edhe më shumë në të ardhmen, arsyeja është ngritja e kapaciteteve e ka koston e vet, qoftë në infrastrukturë, qoftë në personel, qoftë edhe në pajisje më të sofistikuar dhe sfidat ose nevojat buxhetore do të jenë prej vitit 2020 e tutje, gjithmonë duke u bazuar në plan, por unë e thash që i kemi tejkaluar ato pritjet tona. Ne kemi rekrutuar mbi 700 njerëz të ri, 700 ushtarë të rinj i kemi tash në FSK, që edhe ajo e ka koston e vet financiare, por kemi gjet forma dhe metoda që e kemi realizuar këtë projekt, jo të planifikuar, por në të njëjtën kohë i kemi aktivizuar edhe 200 pjesëtarë të tjerë prej pjesës rezervë, që në total kemi arrit rekrutimin në 900 ushtarë e ushtare të reja që janë në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë Rama.

Në vitin 2018, FSK u përballë edhe me largimin e një numri të konsiderueshëm të pjesëtarëve nga komuniteti serb në Kosovë. Kjo u bë meqë të njëjtit kishin presione nga Beogradi dhe serbët brenda Kosovës, duke i detyruar ata që të hiqnin dorë nga shërbimi i tyre në Forcë.

Por gjeneral Rama thotë se me rekrutimet e fundit që janë bërë gjatë vitit që lamë pas, është rritur numri i minoriteteve dhe ka një numër të konsiderueshëm të serbëve që kanë shpreh gatishmërinë të shërbejnë në FSK.

Ne e kemi pasur një numër të konsiderueshëm Brenda Forcës, por fatkeqësisht presionet që kanë ardhur, qoftë nga brenda, qoftë nga jashtë Kosovës, kemi pasur një pjesë të tyre që e kanë lënë FSK-në për arsye të presioneve që kanë ardhur nga dikush tjetër, jo vetëm tek ata personalisht por edhe te familjarët e tyre. Ne me këto rekrutimet e fundit kemi arritur që ta rrisim numrin e minoriteteve dhe kemi një numër të konsiderueshëm të serbëve që kanë shpreh gatishmërinë dhe i kanë kryer të gjitha obligimet, edhe kriteret e pranimit por edhe trajnimet bazike, janë në shërbim dhe janë mirë të integruar. Ne do të vazhdojmë këtë punë, jo vetëm për minoritetin serb por të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, do të jemi të hapur kurdo që at ajanë të gatshëm dyert tona janë të hapura për të gjithë ata që i kanë kriteret”, thotë tutje Rama.

Në rrugën e tranzicionit FSK, po gjen mbështetje të madhe të partnerët strategjik, të cilët po e përkrahin edhe me donacione të ndryshme.

Gjithashtu, Forca ka kadetë në gjashtë vende partnere të cilët shkollohen në akademitë e tyre.

Për herë të parë, sivjet diplomojnë dy kadetë të FSK-së në West Point, gjithashtu një tjetër po përzgjidhet për të nisur shkollimin atje.

Përmes FSK-së, Kosova për herë të parë do të jetë edhe në Forcat Ajrore, ku do të dërgohet një kadet atje.

FSK mbetët një prej institucioneve më të besueshme në vend, e për vitin që lamë pas edhe të komunitetet pakicë.

Back to top button