FSK shkatërron ortekët e borës në Brezovicë

Me 2 shkur ekipi i Deminimit ka filluar punën për largimin  e ortekëve

Në një lartësi mbidetare mbi 2.230 metra dhe mot të keq, ekipet e Kërkim-Shpëtimit dhe Deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë realizuar me sukses misionin për largimin e ortekëve të borës.

Pas vlerësimit të situatës nga ekipet e Kërkim-Shpëtimit të FSK-së, ekipet e Deminimit me gjithë kushtet e vështira kanë filluar punën më 2 shkurt për largimin e ortekëve të rrezikshëm të borës në kompleksin turistik në Brezovicë.

Ata shkatërruan ortekun e parë me eksploziv, i cili paraqiste rrezik të madh për krijimin e një orteku edhe më të madh dhe shumë të rrezikshëm për qytetarët.

Për shkak të motit të vështirë dhe erërave të forta deri në 60km/h, operacioni është dashur të ndërpritet për të vazhduar më 4 shkurt, me ç‘ rast është larguar edhe orteku i dytë.

Sipas vlerësimeve për momentin nuk ka rrezik potencial për lëvizje të ortekëve, mirëpo duke u bazuar në kushtet atmosferike, të cilat mbretërojnë në këtë pjesë mund të krijohen ortekë të cilët mund të paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, thuhet në komunikatën e FSK-së.

Ndryshe, si pasojë e ortekut të borës me 26 janar parë në Brezovicë humbi jetën zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci.

Back to top button