Një tjetër tragjedi emigrantësh në det

Një tjetër tragjedi emigrantësh në det

Një varkë e cila mendohet se transportonte 50 emigrantë është përmbytur në orat e para të mëngjesit së sotëm, një milje larg brigjeve të Lampedusës në Itali.

Rojet bregdetare arritën t’i gjejnë trupat e 9 viktimave ndërsa 22 të mbijetuar u shpëtuan dhe u transferuan në port.

Midis personave të zhdukur mendohet se janë edhe 8 fëmijë, transmeton rtv21.tv.

Sipas  hetimeve paraprake, kur rojet bregdetare dhe policia financiare u afruan pranë varkës për transferimin, emigrantët u zhvendosën të gjithë në njërën anë të mjetit lundrues duke e përmbysur kështu anijen në det.

Përveç njësive detare të rojes bregdetare dhe policisë edhe një helikopter është angazhuar në operacionin e shpëtimit.

Kryebashkiaku i Lampedusas, Totò Martello, është tejet i prekur nga ngjarja dhe ka kërkuar masa të menjëhershme.

Boll më me të tilla masakra në det. Mjafton të mblidhen kufomat që notojnë. Ne nuk mund të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të njerëzve të varfër që vdesin në det ndërsa ndjekin ëndrrën për të përmirësuar jetën e tyre. Politika duhet të veprojë”, tha ai.

Kërkimi është duke u zhvilluar për më shumë të zhdukur./21Media